U qëllua me armë zjarri në Shkodër, 25-vjeçari kushëri i vëllezërve Mehmedaj, të dyshuarve kryesorë për vrasjen e “të fortit” Ridvan Ramazani
Një plagosje me armë zjarri ndodhi në fshatin Mushan të Shkodrës mëngjesin e kësaj të shtune, ku i plagosur mbeti 25-vjeçari Isak Mehmedaj, i cili ndodhet në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën.
I riu rezulton kushëri i vëllezërve Mehmedaj, ku njëri prej tyre, konkretisht Hydajet Mehmedaj është i dyshuar për vrasjen e të ‘fortit’ të Shkodrës Ridvan Ramazani.
Mehmedaj i cili aktualisht ndodhet në burg, dyshohet se më 28 nëntor 2020, në bashkëpunim me dy persona të tjerë kanë ekzekutuar Ridvan Ramazanin.
SI NDODHI NGJARJA
Kjo vrasje ka tronditur Shkodrën më 28 nëntor, në ditën kur festohej 108-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Ridvan Hyseni, i njohur edhe si Ridvan Ramazani, një nga “të fortët” e Shkodrës, u ekzekutua me mbi 15 plumba në një atentat duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi në fshatin Mushan të Njësisë Dajç. Ka qenë ora 11:20 e 28 nëntorit kur në afërsi të një pike karburanti në rrugën kryesore të fshatit Mushan është vrarë me armë zjarri brenda në mjetin e tij tip BMW X5, ngjyrë e bardhë, shtetasi Ridvan Hyseni, 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat të Njësisë Dajç, Bashkia Shkodër. Viktima ka qenë i vetëm në mjetin e tij tip “BMW” kur njëri nga vëllezërit Mehmedaj dyshohet se ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Ridvan Hyseni nuk ka mundur që të bëjë asnjë lëvizje në këtë atentat që i mori jetën.
PISTA E VRASJES
Ridvan Hyseni është vrarë pas një debati që ka pasur djali i tij me vëllezërit Mehmedaj. Palët kanë zhvilluar një debat mes njëri-tjetrit në afërsi të një lokali dhe më pas janë larguar. Sipas Policisë, Ridvan Hyseni ka dashur që të sqarohej me vëllezërit Mehmedaj të cilët kanë shkuar në fshatin Mushan ku jetonte viktima.
Ky i fundit i ka pritur në makinën e tij tip “BMW X5” dhe kanë kërkuar që të sqarohen, por në debat e sipër situata ka precipituar dhe njëri nga vëllezërit Mehmedaj, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik kallashnikov duke lënë të vdekur në vend shtetasin Ridvan Ramazani. Menjëherë forcat e Policisë janë vënë në kërkim të autorëve. Efektivët kanë arritur që në rrugë operative të marrin informacionin e duhur për konfliktin që ka pasur djali i viktimës, duke arritur tek autorët e dyshuar.
Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur dyshohet se autorët kanë lëvizur me motor në drejtim të paditur duke arritur që të fshihen në kohë. Megjithatë një numër i madh efektivësh janë vënë në lëvizje në kërkim të autorëve të dyshuar të kësaj vrasjeje, duke kontrolluar të gjithë zonën por edhe kudo tjetër ku mendohet se mund të kenë lëvizur vëllezërit Mehmedaj.
VIKTIMA
Viktima Ridvan Hyseni, që u qëllua me breshëri plumbash, rezulton të jetë një person me precedentë penalë të mëparshëm. 46-vjeçari që mbeti i vrarë është dënuar nga Gjykata e Shkodrës me 120 orë punë të detyrueshme për interes publik për veprën penale “Falsifikim të dokumenteve”. Ridvan Hyseni është pjesë e një prej familjeve më të forta në Shkodër, ndërsa ka qenë ai që ka drejtuar këtë familje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



