Shkëlzen Kastrati mbeti i vdekur paraditen e sotme në Fier, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Sheqit, si pasojë e një atentati me armë zjarri.
Si ndodhi ngjarja
Fillimisht është raportuar për një aksident pasi autorët i kanë zënë pritë viktimës me një mjet luksoz tip Mercedes Benz CLS. Kur Kastrati ka dalë nga rrethrrotullimi i Sheqit me mjetin e tij tip Mercedes Benz ML, është përplasur dhe më pas është qëlluar me armë.
Menjëherë, autorët të cilët mendohet se janë të paktën dy, kanë braktisur mjetin që përdorën për t’i zënë rrugën Shkëlzen Kastratit dhe me një mjet tjetër tip Range Rover janë larguar nga vendngjarja, shkruan newsbomb.al.
Pak kilometra më tej, në fshatin Mbrostar ku po ndërtohet spitali i ri i Fierit, autorët kanë dejgur makinën me të cilin u larguan nga vendngjarja dhe kanë marrë një mjet tjetër. Pra, atentati ka qenë i mirëorganizuar pasi autorët kanë pasur në dispozicion disa mjete dhe janë kujdesur të mos lënë gjurmë.
Viktima mendohet se është rreth 40 vjeç. Vrasja e tij dyshohet paraprakisht se është bërë për hakmarrje.
Atentati ndaj të vëllait në 2016
Në ditët e para të janarit 2016, pak kilometra larg vendit ku u vra sot Shkëlzen Kastrati dhe ku u gjet i djegur mjeti tip Range Rover, u qëllua me breshëri plumbash Kelmend Kastrati, vëllai i viktimës së atentatit të sotëm, shkruan newsbomb.al.
Kelmend Kastrati ishte në makinë me dy persona të tjerë, një prej të cilëve fatkeqësisht humbi jetën. Në afërsi të Mbrostarit, në vendin e quajtur “Mulliri i Artë”, Kelment Kasatratit, Denis Kasajt dhe Elton Margaritit, iu bë atentat.
Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur të tre udhëtarët në makinë, por fatkeqësisht një prej tyre, Denis Kasaj, nuk mundi të jetonte.
Prishja e pazareve të drogës në Holandë
Dyshimet kryesore për atentatin në atë kohë lidheshin me prishjen e pazareve të drogës në Holandë.
Dy ditë para atentatit Elton Margariti ishte kthyer nga Holanda. Nga burime prën grupit hetimor u mësua se Margariti kishte pasur konflikte në këtë shtet, për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike. Kurse viktima Denis Kasaj ishte kthyer nga Italia për festat e fundvitit. Megjithëse mbeti viktimë, policia thotë se deri tani nuk ka të dhëna se Kasaj ka precedent penalë të njohur.
Ndërkohë, edhe i treti person që ndodhej në makinë, Kelmend Kastrati, nga Fieri, kishte pasur më parë probleme me drejtësinë, pasi në vitin 2008 ai plagosi dy vëllezër për shkak të një sherri për parkimin, shkruan newsbomb.al.
Për këtë ngjarje u arrestua Florian Bushi, agjent i Shërbimit Informativ Shqiptar, pasi u kishte treguar autorëve vendndodhjen e Klemend Kastratit dhe dy personave të tjerë. Gjithashtu, për ngjarjen në fjalë u arrestuan dhe Ilir Memushaj dhe Ylli Nazëraj.



