E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Uashingtoni dërgon në Prishtinë një paralajmërim shumë serioz
Bota

Uashingtoni dërgon në Prishtinë një paralajmërim shumë serioz

Prishtinë, 12 shkurt 2019 – Nga Uashingtoni ka arritur një paralajmërim shumë serioz për krerët e shtetit të Kosovës.

Tre zyrtarë të lartë të shtetit, nëpërmjet një letre dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë bërë të ditur se Uashingtoni do të rishikojë raportet me Kosovën, për shkak të tarifës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Mattthew Palmer,  Zëvendës-ndihmësja e  Sekretarit të Mbrotjtjes, Laura Cooper dhe Zëvendës-drejtori për Çështje të Europës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Wrath, shkruajnë se “veprime të caktuara, përfshirë vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake”, “minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta”.

Ata kanë bërë të ditur se partneriteti në fushën e sigurisë është kundërpërgjigja e parë e Uashingtonit ndaj shpërfilljes së sugjerimit për pezullimin e tarifës.

“Pasi e pamë që kërkesat tona për të pezulluar taksën nuk u morën parasysh, kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë”, shkruajnë Palmer, Cooper dhe Erath.

Ata paralajmërojnë se nga Uashingtoni mund të priten edhe masa të tjera.

“Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen”, shkruajnë ata.

Tre zyrtarët e lartë amerikanë shprehin habinë se sa pak vlerësohet miqësia e Shteteve të Bashkuara nga liderët e shtetit të Kosovës.

“Është e pabesueshme që, pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona”, theksojnë ata.

Palmer, Cooper dhe Erath bëjnë të qartë se SHBA-së nuk mund t’i ketë raportet që i kishte me Kosovën, derisa nuk pezullohet tarifa.

“Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju”, theksojnë ata në letrën drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit të Kosovës.

Letra u është përcjellë tre liderëve të shtetit të Kosovës përmeds ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Letra e plotë:

I dashur President Thaçi:

I dashur Kryeministër Haradinaj:

I dashur Kryeparlamentar Veseli:

Ashtu siç ju ka shkruar edhe Presidenti Trump në letrën e tij, në dhjetor të 2018, ky është momenti i mundësisë së Kosovës që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë  të ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve Euro-Atlantike si dhe të avancojë si një vend stabil, prosperues dhe i sigurt.

Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, do të mund të rrezikojnë këtë qëllim.

Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta.

Pasi e pamë që kërkesat tona për të pezulluar taksën nuk u morën parasysh, kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë.

Fillimisht, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë.

Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë suaj, do të ishte e pavend që një vizitë e tillë të ndodhte.

Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen.

Kosova nuk ka mik më të mirë se sa Shtetet e Bashkuara.  Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe.

Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikane dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila do të përqëndrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve.

Në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm.

Edhe pse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrjmë sigurinë dhe propsperitetin që sjell e ardhmja.

Qëllimi ynë është që të shohin Serbinë dhe Kosovën të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut.

Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës.

Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju.

Përzemërisht,

Matthew Palmer

Zëvendës Asistent i Sekretarit të Shtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.