Udhëhoqi grupin xhihadist në Siri, shqiptari “amnistohet” nga SHBA
Ebu Qatada Albani, i njohur gjithashtu si Abdul Jashari, nuk është më subjekt i sanksioneve amerikane. Ai është identifikuar si pjesëtar dhe drejtues i grupit të snajperistëve shqiptarë “Xhemati Alban”, i cili ka vepruar në Siri.
Heqja e masave ndaj tij lidhet me vendimin e Shteteve të Bashkuara për ndryshimin e statusit të Sirisë në kuadër të listës së shteteve që konsiderohen mbështetëse të terrorizmit. Ky hap ishte paralajmëruar më herët gjatë këtij viti dhe pritej të kalonte përmes procesit përkatës të shqyrtimit në Kongresin amerikan.
Përfshirja e një shteti në listën amerikane të vendeve që mbështesin terrorizmin shoqërohet me një sërë kufizimesh, përfshirë ato që lidhen me ndihmën e huaj, eksportin e pajisjeve të mbrojtjes dhe transaksione të caktuara financiare.
Abu Qatada Albani, me origjinë nga Shkupi, është lidhur gjatë dekadës së fundit me aktivitetin e grupit xhihadist “Xhemati Alban”, një formacion i përbërë kryesisht nga shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Grupi është përmendur në lidhje me luftimet në Siri, ndërsa emri i Abdul Jasharit është shfaqur në dokumente dhe lista të autoriteteve amerikane në kuadër të masave kundër personave të lidhur me organizata terroriste.
Ndryshimi i statusit të Sirisë nga autoritetet amerikane ka sjellë rrjedhimisht edhe ndryshime në regjimin e sanksioneve që lidhen me këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



