UEFA merr vendimin e rëndësishëm për sfidën Serbi-Shqipëri
Tashmë është zyrtare! Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, e caktuar për t’u zhvilluar më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit, do të luhet në praninë e vetëm 6,500 tifozëve.
Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur të mbyllë një pjesë të stadiumit pas incidenteve të shumta në ndeshjen e fundit Serbi-Angli. Sipas vendimit të Komitetit Disiplinor, shkeljet që u vunë re ishin: pamundësia për të siguruar rendin dhe disiplinën brenda dhe përreth stadiumit, përdorimi i lazerëve dhe gjesteve, fjalëve dhe objekteve të papërshtatshme, ndërprerja gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare, si dhe sjellja diskriminuese e tifozëve individualë.
Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar edhe financiarisht për këto shkelje. Stadiumi në Leskovc ka kapacitet prej 8,136 vendesh, por për këtë takim do të lejohen vetëm 80% e tyre, pra rreth 6,500 tifozë.
Në ndeshjen kundër Anglisë, e cila u luajt në Beograd përpara 40 mijë tifozëve, pati shkelje të shumta, duke përfshirë fyerje ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, fishkëllima ndaj himnit anglez, si dhe incidente të dhunshme të grupeve kriminale të afërta me pushtetin serb. Serbia u mund 5-0 dhe pati edhe fyerje ndaj trajnerit Dragan Stojkoviç. FIFA ka paralajmëruar federatën serbe për dënime më të rënda në rast se përsëriten incidente në sfidën me Shqipërinë.
Për këtë arsye është zgjedhur stadiumi më i vogël i Leskovcit, në vend të ndonjë impianti më të madh në Beograd, me synimin për të pasur më shumë kontroll mbi shitjen e biletave dhe për të shmangur praninë e grupeve që kundërshtojnë pushtetin e Aleksandër Vuçiç.
Sipas informacioneve konfidenciale që ka siguruar Top Channel, FIFA ka sugjeruar që biletat të shiten të kontrolluara, duke synuar kryesisht të rinj dhe fëmijë.
Ndërkohë, tifozët shqiptarë që nuk do të jenë të lejuar të udhëtojnë dhe të jenë në stadium, do ta ndjekin ndeshjen në mënyrë ekskluzive dhe direkte në Digitalb, që do ta transmetojë këtë përballje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



