Urim Fiku dyshohet se u ndoq dhe u qëllua me armë disa herë
Mister vdekja e 62-vjeçarit, gjenden gëzhoja 600 metra larg banesës
Vdekja e 62-vjeçarit Urim Fiku, i cili u gjet i pajetë më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës, vijon të jetë objekt hetimesh, ndërsa provat e reja të mbledhura në terren kanë ngritur dyshime për një skenar të ndryshëm nga ai i paraqitur fillimisht nga familjarët e tij.
Bashkëshortja dhe djali i viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, dolën para Gjykatës së Dibrës, ku mohuan përfshirjen në ngjarje. Në dëshmitë e tyre, ata pretenduan se 62-vjeçari ishte sulmuar nga një kafshë e egër, ndërsa më pas, në gjendje të rënduar psikologjike, kishte qëlluar veten me armë zjarri në oborrin e banesës.
Megjithatë, ky version nuk duket se ka bindur organet e drejtësisë. Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për nënë e bir, të cilët mbeten të vetmit persona të dyshuar deri më tani për ngjarjen.
Gëzhojat e gjetura ndryshojnë drejtimin e hetimeve
Një zhvillim i rëndësishëm në zbardhjen e vdekjes së Urim Fikut është regjistruar pas rikthimit të grupit hetimor në vendin e ngjarjes. Gjatë kontrolleve të kryera në zonën përreth banesës, hetuesit kanë zbuluar disa gëzhoja të tjera, në një distancë rreth 500-600 metra larg banesës së viktimës.
Sipas dyshimeve paraprake, gëzhojat mund t’i përkasin së njëjtës armë zjarri me atë që u gjet në oborrin e banesës ditën kur u zbulua trupi i 62-vjeçarit.
Ky zbulim ka ngritur një tjetër pistë hetimore: mundësinë që Urim Fiku të jetë ndjekur dhe qëlluar me armë zjarri në disa momente, përpara se të merrte plagën fatale në afërsi të banesës së tij.
Gëzhojat e sekuestruara janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë, ku do t’u nënshtrohen ekspertizave balistike. Analizat pritet të përcaktojnë nëse ato janë shkrepur nga e njëjta pistoletë e tipit TT, e cila u gjet në vendin e ngjarjes.
Dëshmitë e familjarëve nën lupën e hetuesve
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetimeve janë deklarimet e ndryshme të dhëna nga bashkëshortja dhe djali i viktimës.
Fillimisht, ata kanë pretenduar se Urim Fiku ishte përballur me një ari dhe kishte humbur jetën si pasojë e sulmit të kafshës së egër. Në një version të mëvonshëm, kanë deklaruar se 62-vjeçari ishte kthyer në banesë i dëmtuar nga sulmi dhe, në kushtet e tronditjes, kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten.
Ndërkohë, edhe dëshmia e djalit të viktimës, Gazmir Fikut, është pjesë e verifikimeve. Ai ka deklaruar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ndodhej në Bulqizë, në zyrën ku ushtron detyrën si përgjegjës i një sektori pranë OSHEE-së.
Për momentin, hetuesit po presin rezultatet e ekspertizave balistike, të cilat mund të jenë vendimtare për rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Vdekja e Urim Fikut mbetet ende e pazbardhur plotësisht, ndërsa pista e një sulmi të mundshëm me armë zjarri dhe mospërputhjet në dëshmitë e familjarëve e bëjnë edhe më të ndërlikuar hetimin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



