E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vajza miraton projektin e të atit në AZHBR, Ardita Kuçi mbyll sytë
Denoncime

Vajza miraton projektin e të atit në AZHBR, Ardita Kuçi mbyll sytë

Konflikti i interesit

AZHBR rikthehet sërish në qendër të polemikave, pasi një tjetër dosje tregon se fondet publike, të destinuara për fermerët, kanë përfunduar tek Ardit Bënja, kryetar i FRPD-së në Kuçovë. Ashtu si çdo aplikant, edhe Bënja ka përgatitur projektin e tij pranë një studioje të specializuar, të drejtuar nga inxhinieri Ylli Ago. Përmes kësaj skeme, ai ka kërkuar financim për ndërtimin e një stalle lopësh me vlerë totale 28.830.911 lekë të reja, ku sipas rregullave të AZHBR-së, parashikohet që aplikanti të përfitojë deri në 50% të investimit.

Projekti i hartuar nga Ylli Ago është shqyrtuar nga vajza e tij, Ana Ago, e cila punon si inspektore në Drejtorinë e Përzgjedhjes së Pranimit të Projekteve në AZHBR. Në këtë rast, për shkak të konfliktit të qartë të interesit, ajo nuk mund të refuzonte projektin që mban firmën e babait të saj. Rezultati? Lidhja e kontratës mes AZHBR dhe aplikuesit. Në shifra, Ardit Bënja ka përfituar 14.415.455 lekë të reja grant.

Dosja në fjalë nuk mbart vetëm firmën e Ylli dhe Ana Agos, por edhe firmën e drejtoreshës së përgjithshme të AZHBR, Ardita Kuçi. Së bashku me inspektoren Ago, ajo ka miratuar projektin, pavarësisht se emri i Ylli Agos shfaqet pothuajse në çdo faqe të dokumentacionit. Megjithatë, ky detaj duket se nuk është vënë re nga drejtuesja e institucionit. Madje, stalla e përfituar nga Bënja është promovuar si një histori suksesi nga vetë Ardita Kuçi. Aktualisht, kompania Bënja SHPK ka marrë vetëm 30% të grantit në formë parapagimi; pjesa tjetër jepet vetëm pasi të përfundojë i gjithë investimi.

Skema e AZHBR për vitin 2024 kishte një fond total prej 1.5 miliard lekësh, të shpërndara në pesë kategori kryesore: ndërtimi i serave diellore, instalimi i rrjeteve kundër breshërit, ndërtimi i stallave, mekanizimi bujqësor, si dhe kosha apo rrjeta peshkimi për akuakulturë. Kjo skemë erdhi si zëvendësuese e programit IPARD, i cili prej gati tre vitesh mbetet i pezulluar, pasi dyshohet se fondet e BE-së kanë përfunduar në skema korrupsioni, një dosje që aktualisht po hetohet paralelisht nga OLAF dhe SPAK.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.