Mirela Kumbaro “ultimatum” punonjesve: Kujdes me makiazhin dhe veshjen
“Fikni telefonat, kur takoheni me mua”
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka miratuar një Kod të ri të Etikës që përcakton standardet e sjelljes për punonjësit e institucionit, si gjatë orarit zyrtar, ashtu edhe jashtë tij. Rregullat synojnë të ruajnë imazhin e administratës, paanshmërinë politike dhe integritetin në ushtrimin e detyrës.
Një nga pikat që bie në sy lidhet me paraqitjen e punonjësve në vendin e punës. Sipas dokumentit, nëpunësit duhet të paraqiten në mënyrë serioze dhe të shmangin veshjet ekstravagante, ato sportive dhe makiazhin e tepruar. Gjithashtu, nuk lejohen veshje, simbole apo elemente të tjera që shprehin bindje politike.
Telefonat, të fikur ose pa zë gjatë mbledhjeve
Kodi përcakton rregulla edhe për përdorimin e telefonave celularë gjatë takimeve me ministren, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e tjerë të institucionit. Gjatë këtyre mbledhjeve, telefonat duhet të jenë të fikur ose në modalitet pa zë, përveç rasteve kur përdorimi i tyre autorizohet nga drejtuesi i takimit.
Një tjetër kërkesë lidhet me veprimtaritë e jashtme të nëpunësve. Ata që dëshirojnë të angazhohen në aktivitete të tjera krahas punës në Ministrinë e Arsimit duhet të sigurojnë miratim me shkrim nga eprori, pasi të verifikohet nëse angazhimi është i lejueshëm.
Ndalohet përdorimi i burimeve publike për interesa politike
Dokumenti kërkon që asetet, pajisjet e punës, infrastruktura teknologjike dhe bazat zyrtare të të dhënave të përdoren vetëm për përmbushjen e detyrave funksionale dhe në shërbim të interesit publik. Këto burime nuk duhet të vihen në dispozicion të aktiviteteve të fushatave elektorale, me qëllim garantimin e paanshmërisë politike të institucionit.
Nëpunësit duhet gjithashtu të shmangin ndikimin e interesave private dhe presionit politik në proceset vendimmarrëse. Në rastet kur identifikojnë një konflikt të mundshëm interesi, ata duhet të kërkojnë përjashtimin nga procesi përkatës.
Rregulla kundër korrupsionit dhe për pranimin e dhuratave
Kodi parashikon ndalimin e kërkimit ose pranimit të dhuratave, shpërblimeve, favoreve dhe përfitimeve të tjera, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kur ato ndikojnë ose mund të krijojnë perceptimin se ndikojnë në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës. Ndalimi përfshin edhe premtimet për përfitime për vetë nëpunësin apo personat e lidhur me të.
Një pjesë e dokumentit i kushtohet edhe sinjalizimit të korrupsionit. Institucioni parashikon mbrojtjen e konfidencialitetit të punonjësve që raportojnë shkelje të ligjit të konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës.
Për zbatimin e këtyre standardeve, në institucion do të ketë edhe një këshilltar të etikës, me rol parandalues dhe këshillues për çështjet që lidhen me integritetin dhe respektimin e rregullave të sjelljes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



