Vdes 48-vjeçarja në Korçë, i biri shpërthen në akuza ndaj mjekëve
Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen nr.15 të qytetit të Korçës, ku një grua 48-vjeçare, Gentiana Nano, humbi jetën vetëm dy ditë pasi kishte shfaqur probleme me frymëmarrjen dhe ishte trajtuar në urgjencë.
Të premten, familjarët e saj e dërguan në spital, ku mori trajtim për problemet e frymëmarrjes dhe u largua sërish në shtëpi pas marrjes së mjekimeve. Dita e shtunë solli përkeqësim të gjendjes, dhe familjarët njoftuan sërish ambulancën. Sipas djalit të saj, Erdiol Nano, mjekët i dhanë trajtim për rrahje të shpeshta zemre dhe tension të ulët, por gjendja e saj nuk u përmirësua.
Mëngjesin e së dielës, Gentiana Nano u gjet pa shenja jete nga djali i saj në banesë.
Në një intervistë, Erdiol Nano hodhi akuza ndaj stafit mjekësor, duke i akuzuar për neglizhencë:
“Mami vazhdonte të ndjehej keq, kishte lodhje dhe rrahje të larta zemre. E çuam në spital, i bënë kontrolle dhe na thanë se kishte anemi, i dhanë disa medikamente dhe na lejuan të largoheshim. Ditën tjetër, përsëri nuk ndihej mirë, por mjekët thjesht i dhanë tre injeksione dhe asgjë më shumë. Sot mëngjes, e gjeta të shtrirë dhe kuptova që kishte ndërruar jetë. Dua të di pse nuk na thanë çfarë duhet të bënim dhe pse e lanë të largohej nga spitali në atë gjendje,” tha djali i saj.
Policia e Korçës ka nisur marrjen e deklarimeve nga familjarët dhe pritet të pyetet edhe stafi mjekësor i përfshirë. Trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



