Vdes 50-vjeçari në burgun e Lezhës
IEVP LEZHË / 50-VJEÇARI GJETET PA SHENJA JETE NË KREVAT – NISIN VERIFIKIMET
Një 50-vjeçar, i cili po vuante dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Lezhë, është gjetur pa shenja jete në krevatin e tij gjatë ndërrimit të shërbimit.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin Sotir Shabani, lindur më 21 dhjetor 1975, banues në Ballsh, Mallakastër. Ai ndodhej në IEVP Lezhë që prej datës 27 nëntor 2021 dhe ishte dënuar për veprën penale “Dhunë në familje”, me masë mjekimi të detyruar.
“Gjatë ndërrimit të shërbimit nga punonjësi i rolit bazë është konstatuar se i dënuari, i shtrirë në krevat, nuk po reagonte. Menjëherë është njoftuar mjeku i turnit, i cili, pas verifikimit, ka konstatuar se pacienti kishte ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, është hartuar dokumentacioni përkatës dhe janë njoftuar drejtuesit e institucionit, specialisti i SHKBB, Komisariati i Policisë Lezhë, si dhe prokurori i gatshëm, për vijimin e procedurave ligjore.
Autoritetet bëjnë me dije se institucioni po bashkëpunon me organet kompetente për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Shkaqet e vdekjes pritet të përcaktohen pas veprimeve hetimore dhe ekspertizave përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



