Vendimi i sotëm për të pezulluar qeverinë përbën, as më pak e as më shumë, sesa GRUSHT SHTETI
Ylli Manjani | Opinion | Publik.al
Sigurisht që drejtësia ka të drejtë të pezullojë zyrtarë publikë, por jo të zgjedhur. Anëtarët e qeverisë mbrohen me të njëjtin imunitet si të zgjedhurit, përveç faktit që zonja Balluku është gjithashtu e zgjedhur.
Por GJKKO sot nuk ka pezulluar Ballukun, por qeverinë.
Së pari, zëvendëskryeministri është kryeministër. Vetëm propozim për ndryshim kabineti nuk bën, të tjerat i bën të gjitha. Në një situatë kur kryeministri gjendet i pamundur të jetë fizikisht në detyrë dhe zëvendëskryeministri është i pezulluar, vendi është pa qeveri. Ky është qëllimi i drejtësisë? Të lërë vendin pa qeveri?!
Asnjë pushtet nuk ka të drejtë të lërë vendin pa qeveri.
Së dyti, me këtë precedent, drejtësia i ka dhënë mandat vetes të ndryshojë qeverinë sa herë të dojë. Sepse nesër, me një letër anonime, mund të çelë një hetim për kryeministrin apo gjithë qeverinë (apo nuk ja kanë marrë dorën me këtë “grupin e strukturuar kriminal”?) dhe GJKKO i pezullon, se paska rrezik prishjeje provash.
Ou?
Pse qeveritë i zgjedh drejtësia?!
Ndaj them se kjo ndërhyrje e drejtësisë mbi ekzekutivin është grusht shteti.
Ne nuk kemi gjeneralë e ushtri që ta bëjnë grushtin, por kemi prokurorë që ndihen pronarë të Republikës. Ata ndihen dhe veprojnë si eprorë të pushteteve të tjera që dalin nga vota.
Edhe ata ushtarakët kur bëjnë grusht shteti kështu thonë, si SPAK-u ynë: “po luftojmë korrupsionin”…
Grusht shteti i Republikës së Prokurorëve është — që ç’ke me të!
Ndaj ligjet e kanë të ndaluar pezullimin nga detyra të të zgjedhurve. Pikërisht për të ndaluar grushtin e shtetit të të emëruarve.
Do të kishte qenë krejt normale, brenda anormalitetit që kanë krijuar, që të kërkonin arrest me burg për zonjën Balluku, ose të aplikonin një masë tjetër. Kështu masa do individualizohej dhe s’kishte pse të ngatërrohej me funksionimin e qeverisë.
Por pezullimi, në këtë rast, është grusht shteti.
Gjykata Kushtetuese paguhet nga ky shtet për këtë ditë.
Kaq.
⸻
Diskutimet popullore e populiste me “pandëshkueshmëri”, me “palloshë”, me “Belindë”, janë temë tjetër dhe mund të pajtohem me shumë gjetje.
Por grushti i shtetit meriton vëmendje parësore!
Personalisht ndjehem mirë që erdhën punët deri në këtë pikë, sepse kur flisja, nuk më besonte njeri… Por kam qenë, jam dhe do të jem me shtetin dhe rendin shtetëror.
Çdo asocim që tenton të lidhë qëndrimet e mia me persona është i pavend dhe më neverit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



