E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vetëm padishahu nuk ka faj!
Sot

Vetëm padishahu nuk ka faj!

Landi Çela

Sa afera duhet të dalin ende në dritë? Sa ministra, zëvendësministra, drejtorë të rëndësishëm, kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë Rama duhet të arrestohen, të hetohen apo të përfundojnë pas hekurave që të kuptohet, më në fund, se këtu nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara? Deri kur do të vazhdojmë të besojmë përrallën se ky nuk është një sistem i tërë, i mirëorganizuar korrupsioni, por thjesht një sërë “aksidentesh” individuale?

Në çdo vend normal, ku demokracia funksionon dhe llogaridhënia nuk është thjesht një fjalë në fjalor, kur kaq shumë njerëz të besuar të pushtetit bien njëri pas tjetrit, skenari do të ishte i qartë. Kur bien për korrupsion galopant, abuzim skandaloz me detyrën, tendera të paracaktuar, koncesione miliona eurosh, tjetërsim pronash publike dhe lidhje të zeza klienteliste, përgjegjësia nuk ndalet dhe nuk mund të ndalet kurrë te vartësit. Përgjegjësia, moralisht dhe politikisht, shkon drejt e te kreu politik i sistemit. Te njeriu që i zgjodhi, që u dha fuqi, që i mbrojti dhe që ndërtoi strukturën ku ata operonin.

Por në Shqipëri, formula magjike e mbijetesës politike ka vite që është e njëjta: “Fajin e ka individi që hëngri dardha pas shpinës sime.” Eshtë një fyerje për inteligjencën e një populli të tërë të pretendohet se të gjithë rreth e rrotull tij janë fajtorë, ndërsa vetëm Edi Rama është i pafajshëm, i painformuar, i keqardhur dhe i paprekshëm. Si mundet që lideri që krenohet për kontrollin kapilar të shtetit, njeriu që di çdo lëvizje dhe kontrollon çdo emërim, të jetë kaq “syverbër” përpara vjedhjes që i bëhej buxhetit të shtetit nga njerëzit e tij më të afërt? Ose kemi të bëjmë me një paaftësi monumentale për të menaxhuar ekipin e tij, ose me një bashkëfajësi të heshtur ku secili ka pasur rolin e vet në skenar. Të dyja variantet janë skandaloze.

Kjo qeveri nuk është thjesht e konsumuar nga vitet në pushtet. Ajo është shndërruar në një model pushteti që ka prodhuar në mënyrë industriale korrupsion, pandëshkueshmëri dhe grabitje të pasurive publike. Nga inceneratorët te sterilizimi, nga dosjet e bashkive te pronat e bregdetit të falura si rreza dielli, modeli është i njëjtë: pasuria e shqiptarëve kalon në duart e një grushti njerëzish.

Ndaj, pyetja sot është e thjeshtë dhe therëse: sa zyrtarë të tjerë duhet të bien që drejtësia të guxojë të shkojë te maja?

Nëse drejtësia e re e ka seriozisht dhe dëshiron të hyjë në histori si shpëtimtarja e integritetit të këtij vendi, ajo duhet të thyejë mitin e paprekshmërisë së “Padishahut”. Pa kërkuar llogari dhe pa vendosur përgjegjësi për kreun e qeverisë, çdo aksion i SPAK-ut do të ngjajë me një krasitje degësh, ndërsa rrënja e kalbur mbetet e paprekur. Pa shkuar te maja, drejtësia do të mbetet e cunguar, selektive dhe thjesht një mjet për të pastruar rrethin e kryeministrit, pa prekur kurrë vetë atë.

Historia ka treguar se asnjë regjim i ngritur mbi fasada dhe korrupsion nuk zgjat përgjithmonë. Por kushti i parë për t’u shëruar, është të pranojmë diagnozën: koka e sistemit është ajo që duhet të mbajë përgjegjësi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.