VIDEO/ Barbarët presin me motorrsharrë ullinjtë shekullorë
Artan Hoxha
Pylli Orbital i Lalit, ka kohë që e ka kaluar një milionshin, prandaj ka filluar “rrallimi” duke rrafshuar sipërfaqe të tëra me ullinj 70-80 vjeçarë në atë që rahmet pastë cilësohej si kurora e gjelbër e Tiranës.
Barbarët me motorrsharrë, po “zbardhin” lejet e ndërtimit të resorteve betonarme, firmosur nga kryetari largpamës.
Në kronikat e mediave shohim 30 kamera, të cilat kujdesen të filmojnë largpamësin duke mbjellë 10 shkurre, ndërkohë zhurmën ulëritëse të motorrsharrës, e cila jehon deri në zemër të Tiranës nuk e dëgjon askush.
Për “fat” të barbarit me motorsharrë dhe betonuesve me ferman nga Bashkia, asnjë kamer nuk ndodhet vërdallë. Ato vijnë me urdhër në rresht për një, madje dhe me regji qëndrore, vetëm kur varrmihësit e pushtetit shfaqen me lopata në duar si ambjentalist të thekur.
Një kryeqytet i shurdhuar, si në gjumë letargjik që as sheh, as dëgjon, sesi po ja marrin frymën, ajrin, jetën, të sotmen dhe të ardhmen qejfllinjtë largpamës të betonit.
Një vit më parë, kur çmimi i vajit të ullirit ra ndjeshëm, dëgjova ministren e bujqësisë të ankohej, se shqiptarët kishin mbjellë më tepër ullinj se duhej.
Mesa duket motorsharra po ja lehtëson sadopak barrën edhe ministrisë së bujqësisë.
Kodrinat me dhjetera hektarë ullinj që po rrafshohen, janë ngjitur me kopshtin zoologjik dhe vazhdim i Kodres së Diellit.
Shumë shpejt, dielli i shkretë nuk do di së cilën kodër të betonuar duhet të zgjedh më parë…
Pas ullinjëve, radhen e ka shumë shpejt, kurora e vetme rrotull Tiranës me gështenja. Edhe aty qënkan firmosur lejet për resortet e betonit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



