Video e imamit Dorzi : Mbas 11 majit do hamë të njëjtën groshë… me lugë floriri!
Zgjedhjet parlamentare janë vetëm 43 ditë larg dhe politikanët tanë janë futur në stinën e tyre të preferuar: pranverën e premtimeve përrallore. Është ajo kohë e magjishme kur Shqipëria, nga vend i vështirë për të jetuar, shndërrohet në një parajsë të mundshme… në fjalimet e kandidatëve.
Rrugët do bëhen si autostradat gjermane, rrogat si në Luksemburg, pensionistët do ndihen si në Stokholm dhe spitalet? Epo, ato do rivalizojnë Zvicrën! Por ndërkohë, realiteti vijon të përtypet ngadalë si një pjatë groshë e zier në ujë me taksa.
Këtë farsë kombëtare e ironizoi mjeshtërisht imami i xhamisë së Pezës, Dritan Dorzi. Në një moment epik në video, ai lëshon batutën e shekullit:
“Pas zgjedhjeve, të gjithë do hamë me lugë floriri!”
Një besimtar aty pranë ia kthen me një realitet të thjeshtë dhe brutal:
“Groshë me lugë floriri!”
Sepse premtimet janë gjithmonë luksoze, por ajo që përfundon në pjatë është po ajo: grosha e tranzicionit shqiptar, që nuk ka ndër mend të ftohet.
Ndryshe nga politikanët që premtojnë fushata me euro dhe investime qiellore, imami nuk premtonte asgjë. Ai thjesht tha të vërtetën me një dozë humori të hidhur: çdo katër vjet, shqiptarët ushqehen me fjalë të bukura, por stomaku mbetet bosh. Dhe për ata që hanë, përmbajtja nuk ndryshon – vetëm luga shkëlqen më shumë.
Nga 1991 e deri më sot, çdo fushatë ka pasur një emërues të përbashkët: e ardhmja europiane është pas dere! Sot jemi në vitin 2025 dhe dera vazhdon të jetë e mbyllur… por ama, siç thonë, rëndësi ka aksesori – tani kemi lugë floriri për të ngrënë iluzionet.
Prandaj, mos u shqetësoni shqiptarë! Jeta luksoze është vetëm një votë larg. Më 12 maj, mjafton të hapni sytë dhe do të zgjoheni në një Shqipëri të re – ku gjithçka është e njëjtë, veçse me më shumë shkëlqim.
Grosha mbetet, por tashti ka një lugë floriri.
Gëzuar fushatën!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



