Viola e KESH i jep 5.4 mln € Petroliferës për Tigrat e Vlorës
Afera e TEC-eve lundruese të vendosura në Triport të Vlorës vijon të zgjerohet, teksa pas tenderit 20 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur një tjetër procedurë me vlerë miliona euro.
Sipas dokumenteve të siguruara dhe analizuara nga Vox News, KESH-i ka nisur një procedurë me negocim pa njoftim për “depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse për TEC-in lundrues Vlorë”, me fond limit rreth 510 milionë lekë, ose afërsisht 5.4 milionë euro.
Procedura është zhvilluar pa një garë të hapur, pasi në dokumentacion përcaktohet se është ndjekur metoda “me negocim, pa njoftim”. Kjo do të thotë se institucioni ka zhvilluar negociata direkte me një subjekt privat, pa shpallur një tender konkurrues.
Dokumentet nuk bëjnë të ditur emrin e kompanisë me të cilën është negociuar, por indiciet lidhen me kompaninë Petrolifera, e cila në vitin 2023 kishte fituar një procedurë me të njëjtin objekt.
Në atë kohë, kontrata për shërbimin e depozitimit dhe menaxhimit të karburantit për TEC-et lundruese kishte një vlerë rreth 7.2 milionë euro, ndërsa edhe ajo procedurë ishte zhvilluar përmes negocimit të drejtpërdrejtë.
Aktualisht, shërbimi përfshin shkarkimin e naftës nga anijet, depozitimin e saj në impiantet përkatëse dhe më pas ngarkimin në mjetet e transportit që furnizojnë TEC-et lundruese. Karburanti blihet nga KESH-i, ndërsa kompania private kryen shërbimin logjistik.
20 milionë euro për mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese
Kjo procedurë vjen vetëm pak ditë pasi KESH-i hapi një tjetër tender me vlerë rreth 20 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen e dy TEC-eve lundruese në Vlorë.
Objekti i tenderit është “operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues Termik, Vlorë”, ndërsa sipas dokumenteve, dy anijet janë marrë me qira dhe shteti shqiptar vijon të paguajë shuma të konsiderueshme mujore për mbajtjen e tyre.
TEC-et lundruese janë prej vitesh në qendër të debatit publik për shkak të kostove të larta që kanë sjellë për buxhetin e shtetit dhe mungesës së prodhimit real të energjisë sipas pritshmërive fillestare.
Ndërkohë, në të njëjtën zonë ndodhet edhe TEC-i i Vlorës në tokë, një investim që i ka kushtuar shtetit rreth 130 milionë euro, por që prej kohësh qëndron jashtë funksionit dhe kërkon shpenzime për konservim.
Në këtë mënyrë, për energjinë në Vlorë vijojnë të paguhen miliona euro për një aset të papërdorur dhe dhjetëra miliona të tjera për dy TEC-e lundruese, ndërsa procedurat e reja të KESH-it shtojnë pikëpyetjet mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





