Vlora u përmbyt nga 62 milionë euro të vjedhura
Pse Prokuroria po mbyll sytë përballë korrupsionit?
Një qytet i tërë nën ujë. Jo për shkak të reshjeve të papara, jo për shkak të një fatkeqësie natyrore, por për shkak të një stuhie tjetër shumë më të rrezikshme: korrupsioni.
Prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim për neglizhencë ndaj zyrtarëve pas përmbytjes së qytetit nga vetëm dy orë shi, por ajo që duhet të hetojë me të vërtetë është vjedhja masive e fondeve publike që ka zhytyr Vlorën, fjalë për fjalë dhe metaforikisht, nën ujë.
Plot 62 milionë euro janë shpenzuar nga Bashkia e Vlorës, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, Bordi i Kullimit, dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve për të ndërtuar dhe mirëmbajtur rrjetin e kanalizimeve dhe evadimin e ujërave të shiut në qytet.
Shifra tronditëse për një qytet që prapë përmbytet sa herë bie shi. Në letër, këto fonde duhej të kishin ndërtuar një infrastrukturë të përkryer, që do të parandalonte situata të tilla. Në realitet, këto fonde janë zhdukur në xhepat e atyre që përfitojnë nga tenderët e fryrë, pazaret e pista, dhe dokumentet false.
Le të ndalemi te faktet. Gjatë viteve 2015-2024, janë shpenzuar 28 milionë euro për ndërtimin e kanaleve të ujërave të larta në qytet. Por sapo nisën reshjet, këto kanale u treguan të padukshme dhe të pavlera. Në katër pika të rëndësishme të qytetit, rrjeti i kanalizimeve nuk është ndërtuar fare, ndërsa atje ku ekziston, është jashtë funksionit. Si mundet që miliona euro të harxhohen për diçka që nuk ekziston?
Rasti i oligarkut Bashkim Ulaj është një tjetër shembull i pafytyrësisë me të cilën luhet me paratë publike. Midis viteve 2018-2023, Ulaj mori 18 milionë euro për rikonstruksionin e kanalizimeve dhe rrjetit të evadimit të ujërave të shiut. Por qyteti u përmbyt, dhe rikonstruksioni i pretenduar nuk u pa askund. Dhe në kulmin e ironisë, në shkurt të 2024-ës, Bashkia e Vlorës i dha 3 milionë euro të tjera shtesë për të njëjtat kanalizime që nuk funksionojnë.
A është kjo thjesht neglizhencë apo një rrëfim i hidhur për një sistem të kalbur, ku tenderët shpërndahen pa garë, kostot fryhen artificialisht, dhe cilësia mbetet një fjalë pa kuptim? Prokuroria e Vlorës po heton për neglizhencë, por e vërteta është më e thellë dhe më e errët. Kjo është një skemë e mirëorganizuar vjedhjeje, ku paratë e qytetarëve përfundojnë në xhepat e një grushti njerëzish që kanë ngritur një sistem korrupsioni të sofistikuar.
Si mund të hetohet vetëm neglizhenca kur përballë qëndron vjedhja e hapur e fondeve publike?
Si mund të fshihet e vërteta pas një retorike të lodhur për reshje të papara dhe përmbytje të befasishme, kur problemi është i njohur prej vitesh? Çdo qytetar i Vlorës e di se rrjetet e kanalizimeve nuk janë ndërtuar si duhet.
Çdo biznes që u përmbyt e di se qyteti nuk ka mbrojtje nga uji, pavarësisht miliona eurove të harxhuara.
Prokuroria duhet të përqendrohet te vjedhja e 62 milionë eurove të tenderëve fiktivë dhe jo te shpikja e justifikimeve për “reshjet e papritura”. Vlora nuk ka nevojë për hetime të sipërfaqshme, ka nevojë për drejtësi. Ata që kanë vjedhur fondet publike dhe kanë luajtur me jetët dhe pronat e qytetarëve, duhet të dalin para ligjit. Në të kundërt, çdo shi që bie, do të jetë një kujtesë e hidhur se korrupsioni ka përmbytur këtë qytet më shumë se çdo stuhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



