E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, Gjykata e Apelit shokon familjen Xhejo
Flash

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, Gjykata e Apelit shokon familjen Xhejo

Dy të akuzuarit për fshehje krimi dalin nga qelia

Disa muaj pas ngjarjes së rëndë të datës 15 gusht, ku humbi jetën 14-vjeçari Erald Xhejo pas goditjes me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri, Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për dy familjarët e autorit, Edison Gurin dhe Roland Gurin. Të akuzuar për “fshehje të krimit”, ata ishin në paraburgim, ndërsa tashmë gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie”.

Vendimi është firmosur nga gjyqtarja Lutfije Celami. Lirimi i dy të ndaluarve ka shkaktuar reagim të fortë nga familja e viktimës, e cila e konsideron këtë zhvillim të padrejtë dhe kërkon që ata të rikthehen në qeli.

I ati i Eraldit, Edison Xhejo, i tronditur dhe i zhgënjyer, thotë se familja e tij e kishte shpresën vetëm tek drejtësia, ndërsa tani nuk di më ku të mbështetet.

“Kur ishte bërë gjyqi një nga personat e arrestuar ka qenë Florian Çela i cili ka qenë me autorin në makinë dhe nuk e parandaloi ngjarjen, që ishte i pari, kryesori ka qenë ky. Kur ishte bërë gjyqi, gjykata e ka lënë me arrest shtëpie. Nuk kemi dashur të japim intervista se sa herë flasim nuk durojmë dot. Para pak ditësh mësuam që kishte dalë edhe xhaxhai edhe i ati, i ka nxjerrë apeli. Ne kërkojmë drejtësi, deri dje kishim besim tek drejtësia por nuk e di se çfarë mund të bëhet.”

Ai thotë se familja nuk ka ende asnjë informacion mbi arsyet e vendimit:

“Nuk e di argumentin, nuk ka dalë vendimi akoma, thjesht një gjyqtare nga Tirana i ka nxjerrë. Avokati tha që për 5 ditë del vendimi, ndërkohë kanë kaluar 10 ditë dhe akoma. As ne nuk e dimë përse i ka liruar. Prokuroria kërkoi në fillim burg për të tre këta persona, kur tani marrim vesh që ishin liruar, kishin bërë kërkesë në gjykatën e apelit në Tiranë. Si mund ta ndjekim këtë çështje?! Vetëm me ligj, me drejtësi, nëqoftëse ka drejtësi. Ju bëjmë apel institucioneve, ne sa të kemi jetë me këtë çështje do merremi. Ne kemi besim tek drejtësia por edhe shumë jo. Duam të merren institucionet sepse po ndodhin shumë gjëra, si rasti i djalit tonë po ndodhin shumë, ndodhi edhe ajo në Durrës, kanë ndodhur edhe të tjera.”

Duke rrëfyer momentet e fundit para ngjarjes, ai shton se gjithçka nisi papritur:

“Djali kishte dalë me shokët, vajti për t’u qethur në Pirg dhe rrugës ishin ndeshur me autorin me makinë. Me ç’më thanë shokët e djalit, i kishin fishkëllyer dhe aty ishin përleshur. Nuk besoj të ishte sherr i paralajmëruar, nuk kishin çfarë ndanin, ishin fëmijë. Jo, asnjë njeri nuk ka ardhur (nga familja e autorit), s’janë munduar. Edhe sikur të kenë dashur, çfarë do kërkojnë?”

Por ajo që e ka goditur më shumë familjen është lirimi i të afërmve të autorit, që sipas tyre kanë tentuar të zhdukin provat:

“Jemi shumë të shkatërruar. Të vetmin ngushëllim e kishim te drejtësia, por siç po ndodhin gjërat… nuk dimë më se ku të kemi besim dhe çfarë mund të bëhet! I ati me xhaxhain (e autorit) që fshehën armën e krimit, kishin marrë thikën, e kishin larë, nuk e di si i lirojnë këta njerëz të tillë! Ç’janë këta gjyqtarë? Nuk e di. Ne duam vetëm drejtësi, që mos i ndodhë askujt kjo që na ndodhi ne. Krahas ngjarjes, më shumë i ka tronditur edhe fakti që u liruan këta të dy. Nuk e beson asnjë njeri, gjithë rrethi jonë shoqëror thonë “si ka mundësi?”.”

Familja Xhejo thotë se do të vijojë betejën deri në fund dhe i bën apel institucioneve të reagojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.