Gjon Shkambi rikthehet sot në vendin e krimit!
Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, do të paraqitet sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, vendi ku ndodhi ngjarja tragjike. Ai kërkon që masa e sigurisë ndaj tij, aktualisht arrest me burg, të lehtësohet. Kërkesa e tij do të shqyrtohet në orën 10:00.
Po sot pritet të shqyrtohet edhe ankimimi i Banush Koxhajt, punonjës i sigurisë së gjykatës. Nipi 30-vjeçar i Shkambit, i cili po qëndron gjithashtu në paraburgim, nuk ka apeluar vendimin për masën e tij të sigurisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor, pas vendimit të gjyqtarit Kalaja kundër familjes Shkambi. Në atë moment, Elvis Shkambi kishte arritur të futet brenda gjykatës me armë dhe qëlloi ndaj gjyqtarit, si dhe ndaj babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur.
Prokuroria pretendon se Gjon Shkambi kishte dijeni për planin e nipit të tij vetëm kundër palës tjetër dhe e akuzon për nxitje në tentativën për vrasje lidhur me mosmarrëveshjet për pronën.
Ndërkohë, Banush Koxhaj akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ndërhyri edhe pse detektori i armëve sinjalizoi praninë e tyre kur Gjon dhe Elvis Shkambi hynë në gjykatë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



