Vrasja e Klevis Lleshit, jepet vendimi për dy të arrestuarit
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të premte masat e sigurisë për dy të dyshuarit në lidhje me vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.
Pas seancës gjyqësore të zhvilluar në orën 10:00 të mëngjesit, GJKKO vendosi “arrest me burg” për Sabah Nuzi, i cili dyshohet nga Prokuroria si ekzekutori i 32-vjeçarit. Ndërkohë, për të arrestuarin tjetër, Samet Loka, u caktua masa e arrestit në shtëpi.
Sipas hetimeve të deritanishme, autoritetet dyshojnë se Sabah Nuzi ka kryer vrasjen me pagesë, në këmbim të një shume prej 50 mijë eurosh. Gjatë seancës, ai ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje, duke refuzuar të pranojë akuzat e Prokurorisë.
Klevis Lleshi u vra me armë zjarri në një atentat në vitin 2020, në një ngjarje që tronditi opinionin publik. Rasti ka qenë objekt hetimi të gjatë nga strukturat e posaçme të drejtësisë, ndërsa arrestimet u bënë të mundura pas grumbullimit të provave të reja dhe dëshmive që lidhin të dyshuarit me ngjarjen.
Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe identifikimin e porositësve vijojnë ende nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



