Vrau për 50 mijë € Klevis Lleshin, Apeli merr vendimin për Sabah Nuzi
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Sabah Nuzin, i arrestuar në shtator me urdhër të SPAK, si i dyshuar për përfshirje në vrasjen me pagesë të Klevis Lleshit, ngjarje e ndodhur më 5 gusht 2020 në qytetin e Burrelit.
Sipas hetimeve të deritanishme, vrasja dyshohet se u krye kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh. SPAK bën me dije se pas krimit qëndron një grup i strukturuar kriminal, i drejtuar nga shtetasi Aurel Hoxha, i njohur edhe me identitetin tjetër Aurelinjo Kalaveri, i cili dyshohet se ka porositur ekzekutimin në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012.
Skema e krimit
Sipas dosjes hetimore, Aurel Hoxha ka krijuar një grup kriminal me qëllim kryerjen e veprimtarive të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, kryesisht nga Amerika e Jugut drejt Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Në këtë skemë kriminale, shtetasi A.K. dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës mes Aurel Hoxhës dhe Sabah Nuzit, i cili identifikohet si ekzekutori i vrasjes së Lleshit. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Samet Loka dhe shtetas të tjerë ende të paidentifikuar.
Hetimet dhe provat
Hetimet janë mbështetur mbi informacione të siguruara nga autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve të BE-së, si dhe në analizën e komunikimeve të realizuara në platformën e enkriptuar SkyECC – një mjet shpesh i përdorur nga rrjetet kriminale për të shmangur gjurmimin nga autoritetet.
Provat e administruara tregojnë se të ardhurat e përfituara nga aktivitetet e paligjshme janë përdorur për investime në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, biznese dhe transaksione financiare me qëllim fshehjen e origjinës së parave dhe shmangien nga raportimi ligjor.
Arrestime dhe kërkime
Deri më tani, janë lëshuar katër urdhër-arreste. Në pranga kanë rënë Sabah Nuzi dhe Samet Loka, të dy 31 vjeç, si dhe Sajmir Kolaveri, i cili është arrestuar në Itali. Ndërkohë, Aurel Hoxha, 36 vjeç, i njohur si Aurelinjo Kalaveri, ndodhet ende në kërkim. Ai rezulton të jetë pronar i lokalit “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të këtij grupi të dyshuar kriminal.
NJOFTIMI I SPAK NË SHTATOR
SPAK godet një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në vrasje me pagesë dhe pastrim parash
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 177, të regjistruar më datë 16.9.2025, po zhvillon hetime të thelluara në lidhje me disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë, të kryera në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Hetimi i kryer në bashkëpunim të ngushtë me Europol, Eurojust, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës, Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë mundësoi zbardhjen e një skeme të organizuar kriminale e përfshirë në:
-Vrasje me pagesë dhe për gjakmarrje, përfshirë fshehjen e kufomave dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit;
-Pastrimin e produkteve të veprës penale përmes investimeve të dyshimta në Shqipëri dhe jashtë saj;
Hetimet u përqëndruan tek disa shtetas shqiptarë të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, kundrejt përfitimit të shumave të ndryshme monetare. Personat e përfshirë duke bashkëpunuar me njëri tjetrin kanë arritur të sigurojnë shuma të konsiderueshme parash, të kontraktojnë persona për kryerjen e vrasjeve me pagesë për hakmarrje personale apo gjakmarrje. Disa anëtarë të këtij grupi kriminal dyshohet se kanë mundësuar depërtimin e sasive të konsiderueshme të parave të përftuara në mënyrë të paligjshme në sistemin finaciar shqiptar, përmes investimeve me karakter dyshues dhe duke përdorur këto shuma parash për kryerjen e veprave penale kundër jetës dhe shëndetit.
Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është dokumentuar aktiviteti kriminal si dhe identifikimi i disa prej autorëve të dyshuar të veprave penale të përmendura, një pjesë e të cilave është kryer në bashkëpunim, në formë e grupit të strukturuar kriminal.
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje të shtetasit, K.LL më datë 05.08.2020, në qytetin e Burrelit dhe më pas fshehja e kufomës së viktimës K.LL, duke u varrosur në fshatin Shpërdhet të Njësisë Administrative Mamurras, Bashkia Kurbin. Eshtrat e viktimës u zbuluan më datë 8.12.2020. Dyshohet se vrasja është kryer me armë zjarri dhe kundrejt pagesës prej 50.000 eurove.
Veprimet e kundraligjshme të vrasjes për gjakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, si dhe fshehja e kufomës janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për gjakmarrje dyshohet të jetë shtetasi A.K (alias A.H), në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012.
Si ndihmës dhe ndërmjetës dyshohet të jetë shtetasi, A.K, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jetë shtetasi S.N. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë , të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
- Gjithashtu nga provat e administruara rezulton se shtetasi A.K (alias A.H), në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundraligjshme të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasi S.L dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.
Të ardhurat e kundraligjshme, dyshohen se janë krijuar nga aktiviteti i kundraligjshëm i trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipëri. Informacionet e mësipërme janë administruar nga autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve të Bashkimit Europian si dhe nga analiza e komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyECC.
Nga ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se janë krijuar të ardhura monetare të cilat kanë shërbyer për investime në aktivitete tregtare, pasuri të paluajtshme dhe pasuri të luajtshme, këmbimin apo transferimin e pasurive, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre, kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.98, më datë 25.9.2025, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj katër shtetasve shqiptarë:
- A.K (alias A.H), i datëlindjes 06.12.1989, i dyshuar për veprat penale:
– “Vrasje për gjakmarrje”, në dëm të viktimës K.LL, në datën 05.08.2020, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 28/4; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, në dëm të viktimës K.LL, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal;– “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1, gërma “b” dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal. ; - S.N, i datëlindjes 25.06.1994, i dyshuar për veprat penale të “Vrasje për gjakmarrje”, në dëm të viktimës K.LL, në datën 05.08.2020, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 28/4; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, në dëm të viktimës K.LL, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal. ;
- S.K, i datëlindjes 19.05.1982, i dyshuar për veprat penale të “Vrasje për gjakmarrje”, në dëm të viktimës K.LL, në datën 05.08.2020, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/a dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1 dhe 28/4; “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, në dëm të viktimës K.LL, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal. ;
- S.L, i datëlindjes 30.12.1994, i dyshuar për veprat penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 287/1, gërma “b” dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.
Prokurorët e Posaçëm kanë nxjerrë urdhërat e ekzekutimit të masave të sigurimit më datë 25.09.2025.
Zbatimi i masave të sigurisë ndaj shtetasve S.N. dhe S.L, është bërë i mundur nga hetuesit e BKH-së dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për krijuesin, organizatorin dhe drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal shtetasin A.K (alias A.H).
Pas bashkëpunimit të ngushtë me Europol dhe autoritetet ligjzbatuese italiane është bërë e mundur arrestimi në Itali i shtetasit nën hetim S.K,.
Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe BKH-së për profesionalizmin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë në fazën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Falenderojmë veçanërisht Europol, Eurojust, autoritetet gjyqësore të Republikës së Francës dhe autoritetet ligjzbatuese të Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e tyre gjatë hetimeve të këtij procedimi penal si dhe në zbatimin e masave të sigurimit personal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



