Vrasja e turistit në Ksamil, 42 persona persona shoqërohen nga policia
Hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit portugez në ambientet e “Principotes” në Ksamil janë zgjeruar, ndërsa policia ka shoqëruar 42 persona për t’i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë.
Burime bëjnë me dije se hetuesit po verifikojnë rolin e personave të tjerë në ngjarje dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të reja, përveç 29-vjeçarit Sokrat Vata, i dyshuar si autor i vrasjes.
Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër dhe Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën të largohej pas krimit.
Matushaj punonte si bodyguard me të dyshuarin
Sipas të dhënave të hetimit, Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security” dhe shërbente bashkë me Sokrat Vatën në ambientet e “Principotes”.
Dyshimet e policisë janë se ai ka ndihmuar 29-vjeçarin të largohej nga vendi i ngjarjes pas vrasjes.
Në fokus të hetuesve është edhe një çift shtetasish turq, të cilët ndodheshin në automjetin ku u gjet i fshehur Sokrat Vata. Mjeti po lëvizte në drejtim të Tiranës kur i dyshuari u kap nga policia.
Hetuesit po verifikojnë rolin e çiftit turk dhe nëse ata kanë pasur dijeni për identitetin dhe qëllimin e personit që po transportonin. Një tjetër pistë që po shqyrtohet është edhe marrëdhënia e punës mes Sokrat Vatës dhe shtetasit turk, pasi dyshohet se 29-vjeçari shërbente si bodyguard i tij.
Bekim Bulica shpallet në kërkim
Në kuadër të hetimeve është shpallur në kërkim edhe Bekim Bulica, 36 vjeç.
Sipas të dhënave të deritanishme, Bulica ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin e vrasjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës. Policia dyshon se largimi i tij mund të ketë lidhje me përpjekjen për t’iu shmangur hetimit.
Viktima nuk ishte francez, por portugez
Policia ka bërë gjithashtu një saktësim lidhur me identitetin e viktimës. Në informacionet e para, 20-vjeçari ishte identifikuar si shtetas francez, me inicialet M. M.
Pas vijimit të veprimeve hetimore dhe gjetjes së dokumentit të identifikimit, autoritetet konfirmuan se viktima ishte shtetas portugez, me inicialet L. V., i datëlindjes 27 shtator 2005.
Vrasja ndodhi në orët e para të mëngjesit në ambientet e “Principotes” në Ksamil, ndërsa policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe rolin e personave të përfshirë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, autoritetet pritet të japin një informacion të plotë mbi dinamikën e krimit dhe masat e marra ndaj personave të dyshuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



