E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me foto e video, dosja zbulon kërcënimet e Refit Buzit para tragjedisë
Lajme

Me foto e video, dosja zbulon kërcënimet e Refit Buzit para tragjedisë

Masakra e korrikut 2026 në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Refit alias Nertil Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin Kosta Plaka dhe ish-vjehrrën Belere Plaka, përpara se të vriste edhe veten gjatë rrethimit nga policia dhe forcat speciale RENEA, rezulton të ketë pasur sinjale alarmi shumë kohë përpara ngjarjes.

Të dhënat që dalin nga dosja hetimore tregojnë se ndaj Buzit kishte pasur më herët denoncime për kërcënime, përndjekje dhe sjellje agresive ndaj ish-të fejuarës së tij, Rosalinda Plaka.

Sipas dokumenteve të hetimit, dy struktura policore, ajo e Fierit dhe Policia e Tiranës, ishin vënë në dijeni për situatën përpara tragjedisë. Në denoncimet e saj, Rosalinda Plaka kishte shprehur frikën se ish-i fejuari mund ta vriste.

Në një prej rasteve, ajo ka deklaruar se Buzi e kishte kërcënuar me fjalët: “do të vras nëse ndahesh prej meje” dhe “nuk ke për të jetuar asnjë ditë e qetë nëse të shoh me dikë tjetër”.

Por kërcënimet nuk ishin të vetmet. Sipas dëshmisë së saj, Buzi kishte tentuar ta merrte me forcë dhe nën kërcënim në një hotel, ndërsa më pas kishte kërcënuar edhe vëllain e saj.

U arrestua në nëntor 2025 për “Kanosje” dhe “Përndjekje”

Sipas dosjes hetimore, pas denoncimit të bërë në Policinë e Tiranës në nëntor 2025, Refit Buzi u arrestua dhe ndaj tij u ngritën akuzat për “Kanosje” dhe “Përndjekje”.

Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”, vendim që Buzi e kundërshtoi në Apelin e Tiranës, duke kërkuar një masë më të butë, si arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje.

Më 22 dhjetor 2025, Gjykata e Apelit Tiranë la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe masën e sigurisë “arrest në burg”.

Megjithatë, nuk është ende e qartë se në çfarë rrethanash Buzi doli më pas nga qelia. Në dosjen hetimore ka të dhëna që ngrenë dyshime se një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës mund të ketë ndryshuar masën e sigurisë, duke çuar në lirimin e tij.

Pikërisht mënyra se si u ndryshua statusi i tij i sigurisë dhe rrethanat e daljes nga burgu mbeten ndër çështjet që kërkojnë sqarim në vijim të hetimeve.

Denoncimi që paralajmëroi rrezikun

Sipas materialeve hetimore, më 17 nëntor 2025, rreth orës 19:00, salla operative e Policisë së Tiranës mori njoftim se një grua që ndodhej në Bulevardin “Bajram Curri” kërkonte ndihmë, pasi ishte kanosur me armë nga ish-i dashuri i saj, Refit Buzi.

Policia reagoi dhe arriti ta lokalizonte e më pas ta arrestonte Buzin.

Gjatë arrestimit, ai u tha efektivëve se objekti që kishte përdorur ishte një pistoletë lodër. Megjithatë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë daljes së parë pas tunelit, u gjet një send plastik i dëmtuar dhe i çmontuar, i cili në pamje të parë ngjante me një armë.

Në dëshminë e saj, Rosalinda Plaka ka treguar se prej kohësh ishte përndjekur dhe kërcënuar nga ish-i fejuari, duke përjetuar ankth, pasiguri dhe frikë për jetën.

Ajo ka deklaruar se rreth dy muaj përpara ngjarjes, Buzi kishte krijuar një adresë false në rrjetet sociale duke përdorur fotografi të tyre dhe e kishte kërcënuar se do ta “degjeneronte” nëse nuk pranonte të komunikonte me të.

Më pas ajo kishte pranuar të takohej me të. Sipas dëshmisë, gjatë takimit Buzi e kishte futur në automjet dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste nëse ajo i jepte fund marrëdhënies dhe se nuk do ta linte të qetë nëse e shihte me një person tjetër.

Situata, sipas saj, u përshkallëzua më tej kur ai tentoi ta dërgonte me forcë në një hotel.

Kërcënimet u shtrinë edhe te familjarët

Pas kësaj ngjarjeje, Rosalinda i kishte treguar vëllait të saj për situatën. Sipas dëshmisë së saj, Buzi e kishte kërcënuar edhe atë, duke i thënë se “nuk do ta lë motrën rehat”.

Rosalinda ka deklaruar gjithashtu se ish-i fejuari i kishte dërguar video intime dhe e kishte kërcënuar se do t’i publikonte në rrjetet sociale.

Mesazhet kërcënuese dhe ofenduese, sipas saj, ishin bërë të përditshme, duke i krijuar një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie për jetën.

Në një tjetër episod, më 16 nëntor 2025, ndërsa Rosalinda ndodhej duke pirë kafe me kunatën e saj në lokalin ku punonin ajo dhe vëllai i saj, aty kishte shkuar edhe Buzi.

Sipas dëshmisë së saj, ai i ishte drejtuar me ton kërcënues duke i thënë: “nëse nuk vjen të më takosh do bëj ekstremin në lokal”.

Vëllai i Rosalindës i kishte kërkuar të largohej, por, sipas dëshmisë, Buzi kishte vazhduar kërcënimet. Ai i kishte thënë se nuk do të kishte asnjë ditë të qetë dhe se, nëse e denonconte dhe ai dilte nga burgu, do ta vriste.

Familjarët e Buzit nuk dinin se ai ndodhej në Tiranë

Për situatën, Rosalinda kishte njoftuar edhe familjarët e Refit Buzit.

Sipas dëshmisë së saj, ata i kishin thënë se nuk e dinin që ai ndodhej në Tiranë, pasi prej rreth 15 ditësh u kishte deklaruar se ishte në Kosovë.

Familjarët e tij i kishin kërkuar të mos e denonconte, duke i thënë se do të flisnin me të në mënyrë që të mos e shqetësonte më.

Por, sipas dosjes, pas këtij komunikimi Buzi e kishte telefonuar sërish Rosalindën dhe e kishte kërcënuar se do të publikonte në internet fotografitë intime të saj.

U shfaq me armë pranë pallatit

Një ditë më pas, më 17 nëntor 2025, rreth orës 10:30, Rosalinda kishte parë ish-të fejuarin e saj pranë hyrjes së pallatit.

Sipas dëshmisë së saj, Buzi e kishte kapur prej krahu dhe i kishte kërkuar kunatës së saj të largohej, pasi kishte diçka për të sqaruar me Rosalindën.

Në momentin që ai e kishte tërhequr, ajo kishte konstatuar një armë në belin e tij. Sipas saj, kjo i kishte shkaktuar frikë, pasi më herët ishte kërcënuar se do ta përdorte armën.

Në dosje është përfshirë edhe dëshmia e kunatës K.K., e cila ka treguar se kishte qenë e pranishme në këtë episod.

Sipas saj, Buzi i ishte drejtuar Rosalindës me fjalët “për kokë të Malos do ta shkrep”, ndërsa më pas e kishte kapur nga krahu dhe kishte ngritur xhupin për t’i treguar armën.

Dy gratë, sipas dëshmisë, ishin ndjerë të frikësuara dhe në rrezik për jetën. Buzi më pas kishte tërhequr Rosalindën, ndërsa ajo bërtiste dhe qante.

Sipas dëshmisë së kunatës, ai i kishte kërkuar të mos bërtiste, duke e kërcënuar se do ta përdorte armën.

Edhe vëllai i Rosalindës kishte paralajmëruar për gjendjen e tij

Në dosjen hetimore është administruar edhe dëshmia e vëllait të Rosalindës.

Ai ka deklaruar se motra e tij kishte pasur një lidhje tetëvjeçare me Refit Buzin dhe se, pas kthimit të tij në Shqipëri, ai kishte nisur ta kërcënonte për të mos i dhënë fund marrëdhënies.

Sipas tij, Rosalinda i kishte treguar për kërcënimet telefonike dhe shantazhin me publikimin e videove intime.

Më 16 nëntor 2025, Buzi e kishte telefonuar dhe i kishte kërkuar të takoheshin, duke i thënë se nëse ajo nuk shkonte, do të vriste veten.

Pas takimit, vëllai i saj kishte konstatuar se Buzi nuk ishte në gjendje të mirë psikologjike dhe i kishte sugjeruar të shkonte te shtëpia e prindërve në Fier për t’u qetësuar.

Të nesërmen, Rosalinda e kishte telefonuar dhe i kishte treguar për incidentin.

Në vijim të hetimeve, Policia dhe Prokuroria e Tiranës ngritën ndaj Refit Buzit akuzat për “Përndjekje” dhe “Kanosje”.

Prokurori i çështjes e kishte vlerësuar Buzin si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke argumentuar se sjellja për të cilën ai dyshohej paraqiste rrezik të theksuar.

Nga kërcënimet te masakra në Vidhisht

Pavarësisht historikut të denoncimeve, arrestimit dhe masës së sigurisë “arrest në burg”, Buzi përfundimisht doli nga qelia.

Muaj më vonë, në korrik 2026, emri i tij u rikthye në qendër të një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të vitit.

Në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ai vrau me armë gjahu ish-vjehrrin Kosta Plaka dhe ish-vjehrrën Belere Plaka. Më pas, sipas të dhënave për ngjarjen, mori peng ish-të fejuarën e tij, Rosalinda Plaka, ndërsa në përfundim të përplasjes me forcat e policisë dhe RENEA-s vrau edhe veten.

Tre viktima humbën jetën në këtë ngjarje tragjike.

Të dhënat e dosjes së vitit 2025 ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si u trajtuan sinjalet e hershme të rrezikut dhe mbi vendimmarrjet që pasuan arrestimin e Buzit. Kërcënimet për vrasje, përndjekja, shantazhi me materiale intime dhe episodi ku ai dyshohet se u shfaq me armë ishin të dokumentuara përpara masakrës.

Hetimi për të gjitha rrethanat që i paraprinë tragjedisë së Vidhishtit pritet të përcaktojë edhe nëse kishte mundësi që rreziku të identifikohej dhe të parandalohej më herët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.