“Do iu shuaj si fis”/ Masakra në Fier, zbardhet dëshmia Rozalinda Plakës
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Fierin pak kohë më parë, ku Refit Buzi vrau prindërit e ish-të fejuarës së tij, Rozalinda Plakës, dhe më pas e mori atë peng për disa orë.
Pas shumë orësh negociatash me policinë, Buzi e la të lirë Rozalinda Plakën dhe më pas kreu vetëvrasje brenda makinës së tij.
Sipas familjarëve të autorit, konflikti mes palëve kishte lindur edhe për shkak të një shume të madhe parash. Sipas tyre, i biri ia kishte dhënë më herët këtë shumë ish-të fejuarës së tij, ndërsa kjo e fundit nuk pranonte t’ia kthente.
Por përtej pretendimeve të familjarëve, dosja e prokurorisë hedh dritë mbi mënyrën se si kishte nisur dhe ishte përshkallëzuar konflikti mes Refit Buzit dhe Rozalinda Plakës.
Sipas dosjes së prokurorisë, çifti ishte ndarë pas një periudhe të gjatë së bashku, por Buzi i kërkonte vazhdimisht ish-të fejuarës që të riktheheshin bashkë.
23-vjeçarja e kishte denoncuar më parë, gjatë vitit 2025, për përndjekje. Për këtë arsye, 35-vjeçari kishte kryer disa muaj burg. Megjithatë, edhe pas daljes nga burgu, ai kishte vijuar të insistonte për rikthimin e marrëdhënies, pavarësisht se vajza e refuzonte.
Sipas dosjes, përndjekja ndaj të resë nisi menjëherë më 19 mars, ditën kur 35-vjeçari doli nga burgu pasi kishte shlyer dënimin.
Megjithëse ndaj tij ekzistonte një Urdhër Mbrojtjeje, Buzi e kontaktonte herë pas here ish-të fejuarën duke përdorur numra të ndryshëm telefoni.
Në kallëzimin e saj të bërë më 22 prill, 23-vjeçarja ka rrëfyer tmerrin e përjetuar gjatë ditëve të fundit. Ajo ka treguar se si ish-i fejuari i priste vazhdimisht rrugën pranë Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku ajo kryente praktikën si infermiere, si dhe në kafenetë përreth.
Një prej episodeve të përshkruara në dëshminë e saj lidhet me një rast kur Buzi e ka marrë në makinën e tij tip “Volkswagen” dhe e ka dërguar drejt një hoteli në Novoselë.
Kur ajo ka refuzuar të zbresë nga makina, ai e ka kërcënuar me vetëflijim.
Në dëshminë e saj, 23-vjeçarja ka rrëfyer fjalët që, sipas saj, i kishte thënë Buzi:
“Zbrit nga makina dhe hyjmë që të vërtetoj që unë nuk të prek me dorë pa dëshirën tënde. Ose zbrit ose unë do djeg veten me benzinë para teje ose ti do më vrasësh mua pa e marrë vesh njeri dhe do i hipësh taksisë dhe do ikësh pa e marrë vesh njeri… Unë nuk jam kafshë dhe ato veprime që i kam bërë më parë se të futesha në burg i kam bërë se nuk kam qenë mirë mendërisht”.
Pas largimit nga hoteli, ata kanë lëvizur për të ngrënë drekë. Sipas dëshmisë, gjatë këtij momenti i dyshuari i ka vendosur të resë tri kushte ultimatumi, duke i bërë të qartë se nuk do ta linte kurrë të qetë.
“Nëse ti do ndarje nga unë nuk do kesh njeri tjetër në jetën tënde, do më presësh mua një periudhë kohe Dhjetor, Qershor ose deri në Gush, dhe kushti i tretë pavarësisht si përfundojmë ne të dy, nuk të kushton gjë të më takosh dhe të kalosh bukur me mua. Nëqoftëse ti nuk pranon asnjë nga këto kushte dhe do ndarje atëherë do tu zhduk të gjithëve si fis dhe se do mbajnë përgjegjësi familjarët e tu”.
Sipas deklarimit të saj, kërcënimet nuk ishin drejtuar vetëm ndaj saj, por edhe ndaj familjes.
Ajo ka deklaruar se Buzi e kishte kërcënuar me fjalët:
“Do t’ju shuaj si familje, do të vras prindërit!”.
Nëna e vajzës kishte kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë, duke u shprehur se veprimet e ish-të fejuarit po i shkatërronin jetën, shëndetin dhe arsimimin e të bijës.
Në këtë situatë, grupi hetimor kishte marrë në pyetje edhe Refit Buzin pasi ai ishte kapur në flagrancë nga policia.
Gjatë marrjes në pyetje, ai kishte pranuar se e kishte kontaktuar ish-partneren e tij, edhe pse kishte dijeni të plotë për ekzistencën e Urdhrit të Mbrojtjes.
“E kam kontaktuar sepse e dua dhe ndjej akoma për atë, dua të lidhem përsëri… Nuk kam mundur dot ta lë të qetë”, është shprehur ai para policëve.
Pas denoncimit të radhës, Policia e Fierit e kishte arrestuar sërish Buzin. Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan edhe telefonat celularë të të dyja palëve.
Në këto pajisje, sipas dosjes, u gjetën dhjetëra mesazhe, thirrje dhe mesazhe zanore me përmbajtje kërcënuese dhe ofenduese.
Megjithatë, pavarësisht historisë së përndjekjes, denoncimeve, Urdhrit të Mbrojtjes, arrestimeve dhe kërcënimeve të përsëritura, konflikti nuk u ndal.
Pak kohë më vonë, ai do të merrte një kthesë tragjike, duke përfunduar me vrasjen e prindërve të Rozalinda Plakës dhe marrjen peng të saj për disa orë.
Pas negociatave të gjata me policinë, Buzi e la të lirë ish-të fejuarën, ndërsa më pas i dha fund jetës brenda makinës së tij.
Rrjedha e ngjarjeve, e dokumentuar në materialet e dosjes, tregon një përshkallëzim të vazhdueshëm të konfliktit: nga ndarja e çiftit, te përndjekja, denoncimet, burgimi, shkelja e Urdhrit të Mbrojtjes, kërcënimet ndaj vajzës dhe familjes së saj, arrestimi i radhës dhe, në fund, tragjedia që tronditi Fierin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



