E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja në Paskuqan, gjendet e braktisur makina e Sadik Llanit
Lajme

Vrasja në Paskuqan, gjendet e braktisur makina e Sadik Llanit

Policia e Tiranës vijon operacionin për kapjen e 39-vjeçarit Sadik Llani, i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në zonën e Paskuqanit.

Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor ka analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, duke arritur të identifikojë itinerarin e lëvizjes së të dyshuarit drejt zonës së Liqenit të Bovillës. Bazuar në këto të dhëna, forcat speciale RENEA kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kontrolli, duke ushtruar kontrolle në rreth 15 objekte gjatë mbrëmjes së kaluar, por pa mundur të lokalizojnë 39-vjeçarin.

Aksioni policor është shtrirë paralelisht edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa kërkimet për kapjen e tij vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme.

Gjatë operacionit, uniformat blu kanë gjetur të braktisur pranë Liqenit të Bovillës automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori për t’u larguar nga vendngjarja. Sipas burimeve hetimore, në brendësi të mjetit nuk janë konstatuar sende të paligjshme apo prova që mund të ndihmojnë në gjurmimin e tij.

Në funksion të zbardhjes së plotë të krimit, policia ka marrë në pyetje tetë persona që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Megjithatë, për shkak të sekretit hetimor, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje mbi dëshmitë apo pistat konkrete që po ndiqen.

Ndërkohë, hetimet për motivet e vrasjes dhe rrethanat e plota të saj janë ende në zhvillim, ndërsa strukturat e rendit mbeten të angazhuara për kapjen e autorit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.