Vrau babain, 25-vjeçari buzëqesh në gjykatë sikur s’ka ndodhur asgjë
“Më kapi për fyti, s’po merrja dot frymë”
25-vjeçari Marjan Këdheli, që tronditi opinionin publik pas vrasjes me thikë të babait të tij, Pjetër Këdheli, 69 vjeç, në fshatin Shkallnur të Durrësit, ka dalë sot para gjykatës, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Seanca gjyqësore u zhvillua pa praninë e familjarëve, ndërsa i riu u mbrojt nga një avokate e caktuar kryesisht, pasi familja nuk paraqiti mbrojtës. Ajo kërkoi që ndaj Këdhelit të bëhet vlerësim mjeko-ligjor për gjendjen e tij mendore, duke pretenduar se nuk është i vetëdijshëm për veprimet që ka kryer.
Në sallën e gjyqit, Marjani u shfaq i qetë dhe madje buzëqeshur, ndërsa tha se “nuk është dakord me pjesën e rrezikshmërisë”.
“Mua më sulmuan, nuk e di kush e ka sulmuar. Më vjen shumë keq që jam këtu për një situatë të tillë. Nuk jam njeri agresiv, kam punuar ndershmërisht në ndërtim. Mbase bëjmë një seancë tjetër kur të jem më i qetë,” deklaroi ai para trupit gjykues.
Si ndodhi krimi makabër
Sipas prokurorisë, ngjarja e rëndë ndodhi më 28 tetor, në ambientet e kuzhinës së banesës familjare. Viktima kishte marrë dy plagë në kokë dhe pesë në trup, ndërsa në vendngjarje u gjetën thika e krimit dhe një shufër hekuri.
E ëma e autorit, Valentina Këdheli, ka rrëfyer se në momentin e krimit ndodhej jashtë për të kujdesur për bagëtitë dhe është kthyer me nxitim pas britmave të bashkëshortit, për ta gjetur djalin duke e goditur të atin.
Konflikte të vazhdueshme me babain
Në dëshminë e dhënë përpara hetuesve, 25-vjeçari ka thënë se ishin duke ngrënë drekë kur shpërtheu sherri, ndërsa pretendon se nuk e mban mend si ndodhi gjithçka.
“Ishim duke ngrënë bukë dhe babai mu turr. Nuk më linte të haja i qetë. Mora thikën dhe e qëllova. Nuk e mbaj mend pse ndodhi,” ka rrëfyer ai.
Marjani ka jetuar disa vite në Francë dhe më pas në Greqi, prej nga ishte kthyer në Shqipëri rreth gjashtë muaj më parë. Sipas tij, që prej asaj kohe kishte debate të vazhdueshme me të atin për punën dhe sjelljen në familje.
Dyshime për probleme mendore
Nëna e tij ka deklaruar se djali kishte probleme të shëndetit mendor dhe sjellje agresive, por kurrë nuk është trajtuar nga specialistë. Burime hetimore konfirmojnë se nuk ekziston asnjë dokument mjekësor që të vërtetojë këtë diagnozë, edhe pse dy vite më parë ai ishte rekomanduar për vizitë psikiatrike.
Familja Këdheli është me origjinë nga Mirdita dhe prej vitesh jetonte në Shkallnur të Durrësit, ndërsa pjesa tjetër e fëmijëve ndodhen jashtë vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



