Vrau gruan gjyqtare, burg përjetë Kasemit. Apeli për fëmijët: U kërkoj që …
Rreth një vit më parë, ai vrau ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildeze Hafizi, në zonën e “Xhamllikut”, duke e qëlluar atë me armë zjarri, pistoletë. Ndërkohë, për gati 3 orë avokati tij Ilia Ilia ka lexuar konkluzionet përfundimtare përballë treshes së Krimeve të Rënda, ndërsa në fund kërkoi nga gjykata një dënim të vetëm me 25 vite burg.
“Kërkoj nga gjykata të shmangen emocionet dhe të jepni vendim të bazuar në fakte. Kërkojmë dënimin përfundimtar të tij me 25 vite burg”, tha avokati. Gjithashtu, mbrojtja pretendoi edhe rrëzimin e akuzës së rrëmbimit të personit.
Por trupi gjykuesi i drejtuar nga gjyqtarja Miliana Muça, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, e gjeti fajtor Kasemin për tri veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Rrëmbim personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”, duke dënuar me një dënim të vetëm, burgim të përjetshëm. Ndërkohë, familjarët e Kasemit, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë procesit, e kanë pritur vendimin të rënduar nga ana emocionale, ndërsa nuk munguan lotët.
PRETENCA
Rreth një muaj më parë, Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar nga Gjykata shpalljen fajtor të Fadil Kasemit me një dënim të vetëm, burgim i përjetshëm. Konkretisht, prokurori Dritan Prençi kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 7 vite burg për “Armëmbajtje pa leje”, shpalljen fajtor dhe dënimin me 13 vite për akuzën e rrëmbimit dhe shpalljen fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes.
Referuar Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në datë 31 gusht të vitit të vitit 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë. Në kohën që Fildeze Hafizi, banuese në Tiranë, njëkohësisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka dalë nga një parukeri dhe është futur brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë, është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi, me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas, shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës “Bardhyl”, automjetit furgon “Benz Mercedez”, që drejtohej nga shtetasi me inicialet K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes, duke hipur brenda në automjet.
Gjatë udhëtimit, shtetasi K.T. ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë Nr.1, Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit, shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e Policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të tij.
Fadil Kasemi i penduar në gjyq, u kërkoi ndjesë fëmijëve për vrasjen
Ndërkohë që në konkluzionet e tij avokati i Kasemit u përqendrua në analizën e motiveve të krimit, duke e konsideruar pretencën e prokurorit si emocionale dhe aspak profesionale, tha se ata i pranonin dy akuzat, por nuk ishin dakord me masën e dënimit të kërkuar.
“Qëndrimi i akuzës është emocionale dhe joprofesional. Ne pranojmë akuzat e vrasjes dhe armëmbajtjes, por nuk jemi dakord me masën e dënimit të kërkuar. Në lidhje me akuzën e rrëmbimit, nuk e pranojmë dhe shqyrtimi gjyqësor tregoi që dëshmitari është kontradiktor”, tha Ilia. Ashtu si gjatë gjithë procesit, edhe dje mbrojtja tha se krimi kishte ardhur në kushte të rënda të të pandehurit, për shkak se ishte ndeshur me tradhti bashkëshortore, mosmirënjohje dhe largimin e fëmijëve.
“Klienti im është ndjerë i penduar dhe u ka kërkuar falje publike fëmijëve të tij”, vazhdoi më tej avokati. Për të gjitha këto, Ilia kërkoi lehtësimin e masës së dënimit, por një gjë e tillë nuk u mor parasysh nga Gjykata. Në fund të seancës dha pretendimet e tij edhe Fadil Kasemi, i cili u shpreh se ishte i penduar për krimin dhe se në kushte të tjera nuk do ta bënte. Ai pati edhe një kërkesë për fëmijët e tij, ndërsa iu drejtua me ndjesë të thellë. “Nuk dua të më falin për këtë që kam bërë, por dua që fëmijët të pranojnë të investoj tek ata nëpërmjet hallave dhe të afërmve”, tha Kasemi.
DËSHMIA E KASEMIT NË GJYKATË
“Unë jam Fadil Kasemi, i datëlindjes 4 mars 1965. Në vitet ’90-2000 kam qenë emigrant, ku kam punuar për gati 10 vjet. Në vitin 2000 erdha sërish në Shqipëri për të krijuar familje. Në këtë periudhë, nëpërmjet disa miqve të përbashkët jam njohur me të ndjerën, ku pas disa takimeve u fejuam.
Familja e së ndjerës ka qenë në gjendje ekonomike jo të mirë dhe bëmë fejesë të përbashkët. Më pas u martuam dhe pas saj kam ndërhyrë që të niste punë si edukatore kopshti, pasi ajo kishte studiuar në Shkodër në Ciklin e Ulët.
Pas disa viteve punë si edukatore më kërkoi që të bëhej drejtoreshë dhe ia kam plotësuar dëshirën, që nëpërmjet miqësive dhe mundësive ekonomike që kisha, ta bëja drejtoreshë në Kopshtin Nr. 24 në kryeqytet.
Më pas, e ndjera më kërkoi që të kishte prindërit afër me pretendimin se ishin vetëm. Pa hezitim ia plotësova dëshirën, duke i marrë një shtëpi me qira dhe me shpenzimet e mia ua mobilova banesën. Qiranë e shtëpisë e kam paguar gjithmonë unë. Dua të shtoj se gjatë kohës kur ka punuar në kopsht, ajo nuk ka sjellë asnjë lek në shtëpi, duke i mbajtur të gjitha për përdorim vetjak.
Paguante vetëm 100 euro në muaj në bankë për fëmijët”, ka rrëfyer Kasemi. Më tej, ai ka treguar se për shkak se nga ekonomia ishte mirë sepse merrej me tregti, e ka ndihmuar dhe ka kontribuar financiarisht për Fildez Hafizin, për ta shkolluar në degën e Juridikut. “Pasi e bëra drejtoreshë në kopsht, më kërkoi për të vazhduar si shkollë të dytë Juridikun. E pranova, duke e regjistruar në një universitet privat. Pasi mbaroi shkollën më kërkoi që ta regjistroja për Magjistraturë dhe ta fitonte konkursin, gjë e cila ndodhi, duke e financuar edhe pse jo në një mënyrë të ndershme.
Deri para Magjistraturës marrëdhëniet tona kanë qenë shumë të mira. Më pas filloi të më thoshte shprehje që nuk i kuptoja. Më mbyllte telefonin, më thoshte se nuk i doja fëmijët. Një ditë pashë vjehrrën që mblidhte fotot e fëmijëve dhe Fildezit dhe më ka bërë përshtypje. Bënim nga një muaj pushime dhe së bashku me prindërit e saj, që i kisha me vete. U kam paguar qiranë për 15 vite dhe asnjëherë s’jam interesuar sa e ka pasur gruaja ime rrogën.
Më 13 shkurt 2015 i kam thënë Fildezes se ku do shkojmë për 14 shkurtin të festojmë. Më tha që do dal me një shoqe se më ka blerë një shall. Unë nuk e kuptova këtë gjë dhe madje i fola rëndë, i thashë mos është lesbike shoqja? Nuk kemi debatuar deri sa po afronte ditëlindja ime më 4 mars, ku ajo më tha se do të largohej te babai dhe se kështu nuk shtyhej. Ajo i kishte përgatitur të gjitha, kishte marrë një person dhe po merrte rrobat e saj. Kur jam përballur me të më tha katër shprehje, që dy i kuptova dhe dy jo…”, ka thënë Kasemi dhe më pas ka kërkuar që rrëfimi të vijonte me dyer të mbyllura për shkak të cenimit të privatësisë së të ndjerës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




