Vritet efektivi i Forcave të Armatosura në Korçë nga shoku i fëmijërisë
Johan Zuko u ekzekutua pas një konflikti të mbartur, autori i dyshuar Kristjan Sterjo në arrati
RENEA dhe Policia vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi pasditen e sotme qytetin e Korçës, ku një 20-vjeçar humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri, ndërsa policia vijon një operacion të gjerë për kapjen e autorit të dyshuar.
Viktima është identifikuar si Johan Zuko, rreth 20 vjeç, pjesë e Forcave të Armatosura. Ai u qëllua me armë zjarri në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, pas një konflikti mes disa personave.
Sipas informacioneve të bëra publike nga policia, autori i dyshuar është identifikuar si Kristjan Sterjo, i cili vijon të jetë në kërkim. Sterjo dhe viktima mësohet se kanë qenë shokë dhe janë rritur së bashku.
Konflikti nisi rreth orës 14:00
Zv/drejtori i Hetimit të Krimeve në Korçë, drejtuesi Sejfulla Metko, dha detaje nga vendi i ngjarjes, duke konfirmuar se konflikti mes viktimës dhe autorit të dyshuar kishte nisur rreth orës 14:00, në një zonë pranë vendit ku ndodhi vrasja.
Sipas Metkos, bëhet fjalë për një konflikt të mbartur mes dy të rinjve.
“Konflikti ndodhi rreth orës 14:00 në një lagje në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së viktimës”, deklaroi Metko.
Rreth 15 minuta pas konfliktit, autori i dyshuar është larguar në drejtim të varrezave, bazuar edhe në dëshmitë e personave që ndodheshin pranë zonës.
“Pas 15 minutash, autori i dyshuar ka shkuar në drejtim të varrezave, sipas dëshmitarëve”, u shpreh zv/drejtori i Hetimit të Krimeve.
Johan Zuko u qëllua me kallashnikov
Sipas policisë, 20-vjeçari është qëlluar me një armë zjarri tip kallashnikov. Në dorën e viktimës është gjetur gjithashtu një thikë.
“Viktima është vrarë me kallashnikov. Viktima ka pasur një thikë në dorë. Ka pasur një konflikt mes këtyre dy personave. Konflikti ka qenë i mbartur”, deklaroi Metko.
Të dhënat paraprake bëjnë me dije se viktima kishte tentuar të fshihej në një pallat, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar për vdekje brenda godinës.
Kristjan Sterjo vijon të jetë në kërkim

Pas krimit, Sterjo është larguar nga vendngjarja dhe policia ka nisur menjëherë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në kuadër të operacionit, forca të shumta policie, së bashku me efektivë të RENEA-s, kanë shkuar pranë banesës së të dyshuarit.
Kontrollet në banesë nuk kanë rezultuar me gjetjen e Sterjos, pasi ai nuk ndodhej aty në momentin e ndërhyrjes.
Policia ka ngritur postblloqe në disa pika dhe vijon kontrollet intensive në zonën e Korçës dhe në akset që mund të jenë përdorur nga i dyshuari për t’u larguar.
Sipas të dhënave të policisë, Sterjo ka qenë prej kohësh në ndjekje nga strukturat policore dhe dyshohet se ka precedentë penalë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.
Tre persona janë shoqëruar
Në vijim të hetimeve, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat tre persona të dyshuar si të përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht dinamikën e krimit.
Në fokus të hetimeve janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja, si dhe përgjatë rrugëve që dyshohet se ka ndjekur autori pas largimit nga vendngjarja.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të konfliktit, motivin dhe rolin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të pranishëm.
Njoftimi paraprak i Policisë
Policia bëri me dije se ngjarja u regjistrua rreth orës 16:30 në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë.
Sipas njoftimit zyrtar, konflikti mes disa personave u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit, duke i marrë jetën 20-vjeçarit J. Z., banues në lagjen nr. 14.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të autorit të dyshuar, rrethuan zonën dhe nisën kontrollet për kapjen e tij.
Operacioni vijon, ndërsa pritet që në orët në vijim Policia e Korçës të japë të dhëna të tjera mbi rrethanat e vrasjes dhe personat e përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




