Washingtoni i kujton Ramës kartelet e drogës në Ditën e Pavarësisë

Urim apo paralajmërim? Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për 28 Nëntorin i jep goditjen më të fortë qeverisë Rama: SHBA nuk flet më me nënkuptim
Një “urim” për Ditën e Pavarësisë, por që tingëllon më shumë si notë verbale alarmi për qeverinë e Edi Ramës. Kështu lexohet mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili në vend të frazave festive për miqësinë mes dy vendeve, zgjodhi një gjuhë brutale, të drejtpërdrejtë dhe të paprecedentë për një ditë simbolike si 28 Nëntori.
Në tekstin që SHBA dërgoi për festën, thuhet se:
“Partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt, teksa ne përballemi me kërcënimet prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe atyre që bashkëpunojnë me to.”
Mesazhi është i qartë: fokusi amerikan nuk është më te qeveria shqiptare, por te agjencitë ligjzbatuese – një shmangie që flet vetë. Dhe përmendja e “karteleve të trafikut të drogës” në një urim kombëtar është sinjali më i drejtpërdrejtë diplomatik që Uashingtoni ka dhënë prej vitesh.
Uashingtoni ndryshon tonin: Shqipëria, partner i NATO-s, por problem me kartelet
Mesazhet diplomatike për festa zakonisht janë neutrale, të qeta, të kufizuara në formalitete. Rubio i rrëzoi të gjitha. Duke përdorur terma si:
- kërcënime,
- grupe kriminale ndërkombëtare,
- kartele droge,
ai e ngre çështjen e sigurisë në marrëdhëniet Tiranë–Uashington në një nivel të ri. Kjo nuk është gjuhë festive, por paralajmërim i qartë: problemi i krimit të organizuar shqiptar ka hyrë zyrtarisht në prioritetet strategjike të SHBA.
Dhe vendi që merr mesazhin është Shqipëria e Edi Ramës.
Rubio nuk është rastësor: është vijim i një serie paralajmërimesh
Ky nuk është sinjal i vetëm. Vetëm gjashtë muaj më parë, një tjetër paralajmërim i fortë erdhi nga Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-ve, Pam Bondi, përmes emisarit të saj Stephen Fields.
Në deklaratën zyrtare të Ambasadës thuhej se prioritet është:
- eliminimi i karteleve,
- krimi i organizuar ndërkombëtar,
- emigracioni i paligjshëm.
Një deklaratë që u lexua në Tiranë si shuplakë diplomatike, pikërisht në një moment kur pritej urim për zgjedhjet e 11 majit – por në vend të përgëzimeve për fituesit, SHBA foli për… kartele.
Edhe urimet pas zgjedhjeve të 11 majit ishin të ftohta: asnjë përmendje e Ramës
Dy javë pas zgjedhjeve, SHBA dërgoi një tjetër mesazh minimalist:
“Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë.”
Asnjë fjalë për Edi Ramën. Asnjë fjalë për Partinë Socialiste.
Asnjë referencë ndaj qeverisjes.
Uashingtoni vendosi të komunikojë vetëm me “popullin shqiptar” dhe “Shqipërinë” – jo me qeverinë e saj.
Mesazhet e vendosura pranë njëra-tjetrës krijojnë një tablo të qartë:
- Shpërfillje totale ndaj qeverisë Rama.
- Ton i ashpër si asnjëherë më parë.
- Theks vetëm te problemi i karteleve dhe krimit të organizuar.
- Shqipëria trajtohet si partner sigurie, por një partner me problem të madh.
Rubio thjesht e artikuloi më fort atë që SHBA ka muaj që e thotë me gjuhë të ndryshme.
Diplomacia e butë ka mbaruar
Edi Rama vite me radhë është mësuar me fjalë të ngrohta, me mesazhe të mbushura me buzëqeshje, me “urime diplomatike”. Ato ditë duket se kanë marrë fund.
“Urimi” i Marco Rubios është një shuplakë e hapur ndaj qeverisë, një thirrje alarmi që del nga protokolli dhe ceremoniali diplomatik për të hyrë drejtpërdrejt në terrenin e akuzave të rënda – kartelet, trafiku i drogës, rreziku ndërkombëtar.
Uashingtoni i thotë Tiranës:
“Miqësia vazhdon, por krimi nuk negociohet.”
Dhe ky është realiteti i ri i marrëdhënieve Shqipëri–SHBA.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



