Ylli Manjani ngre alarmin: Qytetarët rrezikojnë të humbasin pronat
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u ndal te çështjet që lidhen me pronat dhe procedurat penale, duke paralajmëruar për rreziqe serioze ndaj sigurisë juridike të qytetarëve.
Sipas tij, në praktikën aktuale ekziston rreziku që qytetarët të humbasin pronën e blerë me kursimet e jetës në rast se rezulton se ish-pronari është nën hetim, një situatë që ai e cilësoi si të padrejtë dhe shqetësuese për garantimin e të drejtave themelore.
“Edhe prona e vjedhur ka rregulla si merret, jo në hava”, u shpreh Manjani, duke theksuar se respektimi i procedurës ligjore është themeli i shtetit të së drejtës.
Ai shtoi se sistemi aktual i drejtësisë penale ka nevojë për një rishikim të thellë, duke theksuar se ndryshimet duhet të fillojnë nga procedurat.
“Unë mendoj se në këtë moment kemi nevojë për një ridizajnim të plotë të drejtësisë penale, nga a te zh. Do të thotë që duhet rishikuar ligji procedurial penal. Procedurat duhet të jenë të qarta, të strukturuara mirë dhe pa hapësira për interpretime. Ato duhet të jenë të thjeshta dhe të kuptueshme edhe për një qytetar që nuk është jurist. Qytetarët kanë nevojë të dinë si duhet të sillen në momentin kur përballen me autoritetet, për shembull kur policia kërkon të kryejë një kontroll personal apo në banesë”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Manjani kritikoi gjithashtu përdorimin e “indicieve” si bazë për nisjen e proceseve penale dhe përdorimin e tyre si prova në gjykatë. Sipas tij, indiciet duhet të shërbejnë vetëm si pikënisje për hetime më të thelluara dhe jo si prova të vetme në një proces gjyqësor.
Ai u ndal edhe te përdorimi i të dhënave nga aplikacione të komunikimit të koduar si Sky ECC, duke theksuar se këto të dhëna duhet të përdoren vetëm si indicie për të orientuar hetimet dhe për të mbledhur prova konkrete, si armë, gjurmë gishtash, video apo fotografi që vërtetojnë ngjarjet.
Sipas Manjanit, një tjetër problem është ndikimi i madh i mediave në proceset e drejtësisë. Ai paralajmëroi se presioni publik dhe narrativat mediatike mund të ndikojnë në vendimmarrjen e gjyqtarëve.
“Hetimi mediatik është më i rëndë se hetimi penal. Gjykatësit sapo dolën nga vettingu, por mënyra si u gjykuan ata shpesh u ndikua nga artikujt dhe opinionet në media. Kjo ka krijuar një praktikë të gabuar, ku gjyqtarët nuk ndihen plotësisht të lirë në sallën e gjyqit dhe shpesh mbajnë anën e më të fortit, në vend që të mbështeten vetëm te ligji”, tha ai në emisionin “Breaking”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



