Zbardhen emrat e tre organizatorëve të “Revolucionit të Flamingove”
Protesta qytetare në Tiranë, e njohur tashmë si “Revolucioni i Flamingove”, ka hyrë në një fazë të re në ditën e saj të 16-të, duke zbuluar për herë të parë identitetin e tre personave që qëndrojnë në zanafillën e kësaj lëvizjeje.
Deri më tani, protesta ishte karakterizuar nga mungesa e figurave drejtuese dhe nga një organizim spontan, pa struktura të mirëfillta apo emra konkretë në krye. Por kjo qasje duket se ka ndryshuar, pasi aktivisti Alben Kola ka bërë publikisht të ditur tre nismëtarët kryesorë të kësaj lëvizjeje.
Sipas tij, bëhet fjalë për Luçiana Kokajn nga Rrjolli, Alben Kolën nga Kukësi dhe Arlinda Lleshin nga Lezha, emra që tashmë janë të njohur edhe për autoritetet si pjesë e organizimit të protestës.
Dalja në publik e këtyre emrave shënon një moment të rëndësishëm për protestën, e cila që nga fillimi është prezantuar si një reagim i pastër qytetar, pa protagonizëm individual. Megjithatë, organizatorët theksojnë se pavarësisht këtij identifikimi, lëvizja mbetet e hapur dhe përfaqëson interesin e qytetarëve në tërësi.
Në një deklaratë të tij, Kola theksoi se organizimi i marshimit do të vijojë të bëhet nga vetë të rinjtë, por me një fokus më të madh në koordinim dhe shmangie të incidenteve.
“Marshimi është organizuar nga vetë të rinjtë, por nga sot do të ketë më shumë kujdes për të shmangur situata si ato të mbrëmjes së kaluar. Nuk do të ketë më lëvizje jashtë Unazës së Tiranës,” u shpreh ai.
Ky vendim vjen pas episodeve të fundit, ku një grup protestuesish devijuan nga itinerari dhe u drejtuan drejt zonës së Rinasit, duke krijuar paqartësi dhe tensione në zhvillimin e protestës.
Me rregullat e reja dhe me një identifikim më të qartë të organizatorëve, pritet që protesta të hyjë në një fazë më të strukturuar, duke ruajtur njëkohësisht karakterin e saj qytetar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



