Zbardhen përgjimet për grupin e “Rrumit”: Po erdhi Rama, na fiku
Aleksandër Laho ofroi prona për eliminimin e kundërshtarëve
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur skemën kriminale të Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi”, i cili akuzohet se ka përdorur prona të përvetësuara në mënyrë të paligjshme për të rekrutuar persona që do ta ndihmonin në eliminimin e rivalëve të tij.
Sipas një dosjeje të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb, Laho i kishte premtuar prona në bregdetin e Durrësit Aldo Avdylit, me qëllim që ky i fundit të angazhohej në vrasjen e tre kundërshtarëve: Plarent Dervishaj, Lulzim Berisha dhe Edmond Koçi, i njohur ndryshe si Mond Çekiçi.
“Fakti që Aleksandër Laho ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme një numër të madh pronash, të cilat në disa raste ua ka premtuar ose ua ka dhënë si shpërblim njerëzve që i duheshin për t’i përdorur për të arritur qëllimin e tij, eliminimin e kundërshtarëve të vet, Plarent Dervishi dhe Edmond Koçi alias Mond Çekiçi, Lulzim Berisha zbulohen edhe në bisedën e datës 14 shtator 2020, që ai ka zhvilluar me Elidon Avdyli, alias Aldo Avdyli”, thuhet në dosjen e SPAK.
Në komunikimin e përgjuar nga prokuroria, Rrumi i shkruan Avdylit se “i pari në radhë duhet të jetë Lulzim Berisha, pastaj Mond Cekiçi dhe në fund Plarent Dervishaj”, duke i cilësuar të tjerët si “pasiva… të pa rëndësishëm”.
Ndërsa Aldo Avdyli e mbështet planin duke i thënë:
“Po je fiks fare e vlla… Kjo esht sta fut njeri ty per terren… E per men… Po ka maru ata jan…….. Po luli them un….. Lulit….. I bim direct….. Ai e don… Vetem vendose ti”.
Megjithatë, prioriteti ndryshon kur Rrumi sugjeron që më parë të eliminohet Edmond Cekiqi, të cilin e përshkruan si “trurin në terren të grupit kundërshtar”.
Në një tjetër pjesë të komunikimit, Avdyli shkruan:
“O vlla duhen 10 viktima… mrena vitit… po na erdhi ky Rama kty……..e zbejm dot shum dome… se do na fiki…”, duke iu referuar ardhjes së kryeministrit në Durrës për zgjedhjet.
Rrumi ia kthen:
“Ajo më ka djeg shum dhe mua…..Rama……. po erdhi aty na paralizoi pak… e kam mendu direkt qe ate dite qe e mora vesh”.
Përveç skemës për eliminimin e rivalëve, SPAK ka zbardhur dhe një skemë të gjerë për tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Durrësit, ku ishin përfshirë persona të afërt me Lahon, si vëllai i tij Vullnet Muca, shoferi Agron Bejdolli dhe Vlash Brahja.
Gjithashtu, hetimet kanë hedhur dritë mbi vrasjen e Edmir Bregut për motive hakmarrjeje, e dyshohet se është urdhëruar nga Astrit dhe Aldo Avdyli. Në këtë atentat dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



