Zbardhet kërkesa me 3 pika e Ramës në Kushtetuese
Një ditë më parë u bë publik një vendim nga GJKKO lidhur me zv.Kryeministren Belinda Balluku, sipas të cilit ajo duhej të pezullohej nga funksionet qeveritare…
Qeveria iu drejtua sot Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë lidhur me vendimin e GJKKO-së, e cila pezulloi nga funksionet qeveritare, zv.Kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas raportimeve, në kërkesën e Kryeministrisë thuhet se kërkohet shqyrtimi i konfliktit të kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese, si dhe pezullimin e vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
Qeveria në argumentet e saj i referohet të nenit 103 të Kushtetutës, ku shprehimisht thuhet:
1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.

Në reagimin e tij lidhur me vendimin e GJKKO-së, Kryeministri Edi Rama e konsideroi të gabuar ndërhyrjen e SPAK dhe GJKKO për të urdhëruar pezullimin e një ministri.
Rama tha se vendimi i GJKKO-së është shfaqje e një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike.
“Pezullimi nga detyra i një ministri në këtë rast edhe zv.kryeministrit, drejtpërdrejtë për drejtimin e qeverisë është shfaqje e këtyre dobësive, të një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike. Rast unikal në historinë e Europës dhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit. S’ka ndodhur kurrë një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.
Nëse një prokuror special dhe një gjykatë special i shkallës së parë të speciales këtu në Shqipëri kanë vendosur të pezullojnë një ministër, duke marrë kompetencat e një kryeministri dhe parlamenti prej nga buron mandati i qeverisë, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësor edhe në këtë rast ekstrem”, tha kryeministri.
Një ditë më parë u bë publik një vendim nga GJKKO lidhur me zv.Kryeministren Belinda Balluku, sipas të cilit ajo duhej të pezullohej nga funksionet qeveritare.
Seanca e rivlerësimit të masës do të mbahet në GJKKO rreth orës 09:00 të së shtunës, ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre.
Kjo është hera e parë që SPAK ka kërkuar në Gjykatë pezullimin nga detyra të një funksionari të lartë, më konkretisht në pozicionin e zv.Kryeministrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



