Zbardhet lidhje mes përgjimeve të SKY ECC dhe Altin Ndocit
Gazetarja Anila Hoxha ka hedhur dritë mbi një prej profileve kriminale më të errëta të viteve të fundit dhe mbi arratisjen që po konsiderohet si një alarm i madh për sistemin e sigurisë. Hoxha deklaroi se Altin Ndoci nuk ishte thjesht një i paraburgosur, por një figurë kyçe e botës së krimit, me lidhje të drejtpërdrejta me organizatën kriminale Çopja.
Sipas saj, bëhet fjalë për një arratisje që nuk erdhi si befasi për autoritetet. Përkundrazi, ajo ishte e paralajmëruar prej kohësh. Në dosjet hetimore ku Ndoci figuron si anëtar i grupit kriminal Çopja, drejtuesit e kësaj organizate shfaqen të shqetësuar në përgjime në aplikacionin SKY ECC, pikërisht për arrestimin e tij.
Në këto komunikime të zbardhura nga SPAK, anëtarët e fisit Çopja shprehen të alarmuar se kishin mbetur pa “ekzekutorë”, veçanërisht pas vrasjes së Besmir Haxhiajt, çka e forconte edhe më shumë rolin e Altin Ndocit brenda strukturës kriminale.
Gazetarja rikujtoi në emisionin “Breaking” se Ndoci ishte arrestuar rreth 5–6 vite më parë në kuadër të dosjes së bujshme “Plumbi i Artë”. Nga përgjimet rezulton se organizata kriminale kishte tentuar në mënyrë të vazhdueshme ta nxirrte nga burgu, duke përdorur çdo mjet të mundshëm, por pa arritur ta realizonte këtë qëllim.
Sipas SPAK, gjatë gjithë kohës së paraburgimit, grupi Çopja ka mbajtur nën kujdes familjen e Ndocit, duke i siguruar para për jetesë, automjete dhe duke financuar mbrojtjen ligjore. Një skemë tipike kriminale, sipas prokurorisë, e përdorur për të garantuar heshtjen dhe besnikërinë e tij, si dhe për t’i dhënë mesazhin se organizata nuk e kishte braktisur.
Pikërisht për këtë arsye, Altin Ndoci konsiderohej si një nga personat me rrezikshmëri ekstreme, që duhej të shoqërohej vetëm nën masa sigurie të jashtëzakonshme. Megjithatë, realiteti rezultoi krejt i kundërt.
Sipas Anila Hoxhës, Ndoci është nën akuzë për një sërë krimesh të rënda, përfshirë vrasjen e trefishtë të vitit 2018 ku u ekzekutuan Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, si edhe për vrasjen e Kleviz Bahos dhe disa tentativa vrasjeje. Ai përmendet gjithashtu në plane të tjera kriminale kundër Erjon Alibejt, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Një tjetër element që rëndon profilin e tij kriminal është përfshirja në grabitjen e armatosur në aeroportin e Rinasit në vitin 2019, një nga ngjarjet më spektakolare të krimit në Shqipëri, ku u rrëmbyen miliona euro. Emri i Altin Ndocit figuron zyrtarisht në akuzë si anëtar dhe pjesëmarrës aktiv në këtë grabitje, një çështje që ende nuk ka kaluar në gjykim themeli dhe përfshin mbi 30 persona të akuzuar.
Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, Ndoci konsiderohej krahu i armatosur i grupit Çopja, përkrah Talo Çelës, dhe ishte i përfshirë edhe në vrasjen e Andi Zylyfit, dosje që lidhet drejtpërdrejt me “Plumbin e Artë”.
Sa i përket arratisjes, Hoxha tha se Prokuroria ka sekuestruar të gjitha kartelat mjekësore dhe dokumentacionin që lidhet me transferimet e shpeshta të Ndocit drejt Spitalit të Durrësit. Hetimet janë fokusuar te roli i stafit mjekësor dhe i Policisë së Burgjeve.
Sipas të dhënave paraprake, Ndoci nuk rezulton të ketë sëmundje kronike. Ai kishte pretenduar probleme me veshkat, mbi bazën e të cilave ishin miratuar shoqërimet për ndihmë mjekësore — pikërisht hallka që dyshohet se u shfrytëzua për të realizuar arratisjen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



