Zbulohen dy lokale të basteve të paligjshme në Tiranë
Një i arrestuar dhe një i proceduar
Aksionet kundër lojërave të fatit të paligjshme vijojnë në Tiranë, ku policia ka zbuluar dy ambiente të përshtatura për këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Si rezultat i ndërhyrjes, është vënë në pranga një prej pronarëve të lokalit, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan tavolina pokeri dhe pajisje elektronike që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet Nr. 4 dhe Nr. 3, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, evidentuan dy raste konkrete të ushtrimit të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Për rastin e parë, u arrestua shtetasi E. H., 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte në rrugën “Sitki Çiço” u konstatua se ambienti ishte përshtatur për organizimin e lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi dy tavolina pokeri.
Ndërkohë, për rastin e dytë, u procedua penalisht shtetasi E. C., 55 vjeç. Gjatë kontrollit në lokalin që ai administronte, nga këqyrja e telefonit të tij celular u konstatuan aplikacione që shërbenin për baste sportive.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet për goditjen e kësaj veprimtarie do të vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranë për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



