Aksion kundër basteve në Tiranë, arrestohet administratori (VIDEO)
Policia e Shtetit vijon goditjen e aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit në Tiranë, duke zbuluar një tjetër rast në kuadër të operacionit të koduar “Fati i Lojërave”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në rrugën “Kajo Karafili”, autoritetet konstatuan se ambienti ishte përshtatur posaçërisht për zhvillimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme. Në brendësi të tij u gjetën pajisje elektronike për baste, si dhe një tavolinë e dedikuar për lojën e pokerit.
Si rezultat i ndërhyrjes, policia sekuestroi katër makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin për organizimin e këtij aktiviteti. Në pranga u vu administratori i lokalit, 38-vjeçari Fabion Karkanaqe.
Sipas burimeve zyrtare, operacioni është zhvilluar nga strukturat e hetimit të krimeve ekonomiko-financiare, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për këtë rast. Arrestimi u krye në flagrancë, ndërsa ndaj të dyshuarit kanë nisur procedurat përkatëse ligjore.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në ambiente dhe subjekte të ndryshme, me synim parandalimin dhe goditjen e çdo forme të organizimit të lojërave të fatit jashtë kuadrit ligjor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



