Zbulohen porositë e Ramës në mbledhjen me dyer të mbyllura: Organizim i personalizuar për çdo territor dhe takime javore me qytetarët
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë, ku në fokus ka qenë organizimi politik në territor dhe forcimi i komunikimit me qytetarët.
Gjatë mbledhjes, e zhvilluar me dyer të mbyllura në rezidencën qeveritare në fshatin SOS, Rama ka kërkuar hartimin e një skeme të personalizuar për secilin drejtues politik, ministër, zëvendësministër dhe deputet, në varësi të territorit dhe qytetarëve që mbulojnë.
Një tjetër porosi ka qenë zhvillimi sistematik i takimeve me qytetarët në bazë. Sipas porosive të kryeministrit, këto takime duhet të zhvillohen çdo javë, me synimin për të evidentuar nga afër problematikat dhe shqetësimet e komuniteteve.
Në takim është diskutuar edhe zbatimi i nismës “Pasqyrë Shqipëri”. Rama ka kërkuar që kjo nismë të trajtohet si një rregull që duhet respektuar nga të gjithë drejtuesit politikë dhe përfaqësuesit e mazhorancës.
“Pasqyrë Shqipëri” duhet të jetë ligj dhe të zbatohet nga të gjithë”, mësohet të ketë deklaruar kryeministri.
Mbledhja kishte karakter politik dhe organizativ, ndërsa pjesëmarrës ishin drejtuesit politikë dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



