E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet Call Center në ‘zemër’ të Tiranës, 4 të arrestuar
Lajme

Zbulohet Call Center në ‘zemër’ të Tiranës, 4 të arrestuar

49 persona të proceduar

Një operacion i Policisë së Tiranës ka çuar në goditjen e një aktiviteti të dyshuar mashtrimi kompjuterik që funksiononte në formën e një call center-i në kryeqytet.

Aksioni, i koduar “Hold on”, u zhvillua në një objekt të ndodhur në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku sipas hetimeve paraprake dyshohet se ushtrohej veprimtari e paligjshme përmes skemave të mashtrimit online.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët arrestuan në flagrancë katër persona që dyshohet se kishin role drejtuese në këtë aktivitet. Të ndaluarit janë identifikuar me inicialet E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç. Sipas policisë, ata dyshohet se administronin strukturën ose drejtonin grupet e punonjësve që operonin në ambientet e call center-it.

Në të njëjtën kohë, në vendngjarje u gjetën edhe 49 persona të tjerë, të cilët u kapën gjatë ushtrimit të aktivitetit në ambientet e punës. Për ta është nisur procedim penal në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit të ambienteve, të përshtatura me dhjetëra poste pune, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektronike që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e mashtrimit. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 94 kompjuterë, 11 telefona celularë, 2 iPad, si dhe një numër i madh pajisjesh dhe materialesh të tjera me interes për hetimin.

Operacioni u realizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me specialistët e Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Sipas policisë, ndërhyrja u ndërmor pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, të cilat ngritën dyshime se në katin e dytë të objektit në bulevardin “Gjergj Fishta” po zhvillohej aktivitet mashtrues nëpërmjet teknologjisë kompjuterike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.