E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skema e call center-ave te Liqeni i Thatë: si lidhet rrjeti me Flladi Malajn
Lajme

Skema e call center-ave te Liqeni i Thatë: si lidhet rrjeti me Flladi Malajn

Operacioni i koduar “End Point”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka goditur dy struktura call center që operonin në zonën e Liqenit të Thatë, pas një sinjalizimi të ardhur nga autoritetet austriake për mashtrimin e qindra qytetarëve.

Gjatë ndërhyrjes në njërin prej ambienteve u vunë në pranga administratorët Marjo Kolli dhe Bjorn Kareco, të cilët nuk janë emra të panjohur për drejtësinë shqiptare. Ata rezultojnë të arrestuar edhe më 22 shtator 2023, në kuadër të operacionit të mëparshëm të koduar “Momentum”.

Sipas të dhënave të publikuara nga hulumtime investigative, dy të rinjtë dyshohet se kanë pasur rol formal në administrimin e aktivitetit, ndërsa pronësia reale e strukturës lidhet me biznesmenin Flladi Malaj, një emër i njohur prej më shumë se 15 vitesh në industrinë e call centerave në Tiranë.

Një element që forcon lidhjen mes operacionit të fundit dhe atij të vitit 2023 është pikërisht emërtimi “Momentum”, i përdorur nga Policia e Shtetit për aksionin e mëparshëm, por që përkon edhe me emrin e një grupi kompanish të krijuara dhe kontrolluara nga Malaj.

Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Flladi Malaj ka ngritur ndër vite një rrjet të gjerë subjektesh që operojnë në fushën e call centerave, mes të cilave përfshihen “Albreeze”, “ACME Studio”, “Casa Mokador”, e riemërtuar më pas “Eden Breeze”, “Mokador by Momentum”, që më vonë mori emrin “Momentum Group”, si dhe “Info Tirana”, “Dekript Media Group” dhe “Akademia Profesionale M&G”. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive rezulton e regjistruar në të njëjtën adresë, në Rrugën “Prokop Mima” në Tiranë.

Në materialet e publikuara ngrihen dyshime se Flladi Malaj dhe vëllai i tij, Xhulio Malaj, të cilët përmenden edhe për lidhje familjare dhe shoqërore me figura të njohura politike dhe kriminale, mund të kenë përdorur këto struktura për të mashtruar qytetarë dhe biznesmenë nga vendet e Bashkimit Europian.

Skema e dyshuar përfshin përdorimin e platformave të investimeve si Forex, BrokerZ, Globalix, Bitcoin dhe forma të tjera të ngjashme, përmes të cilave pretendohet se janë përfituar shuma të konsiderueshme parash në mënyrë të paligjshme.

Mbetet ende e paqartë nëse Prokuroria e Tiranës do të shkojë përtej arrestimit të administratorëve formalë dhe do të arrijë të identifikojë e godasë organizatorët e vërtetë të këtij aktiviteti të dyshuar kriminal, apo nëse hetimet do të ndalen në të njëjtin nivel si në operacionin “Momentum”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.