Zbulohet ‘foleja’ e prostitucionit në Durrës
Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy gra të huaja, të dyshuara për ushtrim prostitucioni. Të arrestuarat janë një 34-vjeçare nga Venezuela dhe një 24-vjeçare nga Kolumbia.
Sipas njoftimit zyrtar, në lagjen nr. 12 të qytetit u identifikua një apartament i marrë me qira nga të dyja gratë, ku dyshohet se zhvillohej aktiviteti i paligjshëm.
Përveç arrestimeve, autoritetet kanë nisur edhe procedimin penal në gjendje të lirë për tre shtetas të tjerë shqiptarë, me inicialet M. A., A. A. dhe D. T., të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Gjatë kontrollit në apartament, u sekuestruan si prova materiale një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, gjashtë telefona celularë dhe dokumente identifikimi të të arrestuarave.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Njoftimi i policisë
Durrës/Hetime intensive në vijim dhe kontrolle në ambiente të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit.
Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “STORM 7”.
Zbulohet në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetaset e huaja që e kishin marrë me qira apartamentin, për këtë qëllim.
Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për një periudhë trejavore, në drejtimin e Prokurorisë, u organizua dhe u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “STORM 7”.
Si rezultat i hetimeve:
-u zbulua në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion;
-u arrestuan në flagrancë shtetaset N. T., 34 vjeçe, banuese në Venezuelë dhe A. A., 24 vjeçe, banuese në Kolumbi, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, të cilat dyshohet se e kishin marrë me qira apartamentin, për ushtrim prostitucioni.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit M. A., A. A. dhe D. T.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 6 celularë dhe dokumente identifikimi të shtetaseve të arrestuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



