Zbulohet formula e betimit që theu ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni
Ndërsa Vlora Hyseni po hetohet nga SPAK për dyshimet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, në fokus rikthehet edhe formula e betimit që zyrtarët e Shërbimit Informativ të Shtetit marrin gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas njoftimit të SPAK, ndaj Hysenit është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra, ndërsa çështja lidhet me procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Një kopje e kësaj formule, e publikuar nga mediat, përmban angazhime të qarta për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjen e sekretit shtetëror dhe besnikërinë ndaj SHISH-it në përmbushjen e misionit të tij.
Formula e betimit është kjo:
“Betohem solemnisht se do t’i shërbej me përkushtim e ndershmëri Republikës së Shqipërisë për forcimin e sigurisë kombëtare. Do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, do t’i kryej detyrat me përgjegjshmëri e profesionalizëm, do të ruaj sekretin dhe do të jem besnik ndaj Shërbimit Informativ të Shtetit në përmbushjen e misionit të tij.
BETOHEM!”
Pikërisht angazhimi për ruajtjen e sekretit merr rëndësi të veçantë në dritën e hetimit të SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it. Sipas organit të akuzës, Hyseni po hetohet edhe për veprën penale të “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
Hetimi ka sjellë në vëmendje edhe funksionarë të tjerë të strukturave drejtuese të SHISH-it. Sipas raportimeve mediatike, Elvis Lila, i cili pas largimit të Hysenit është ngarkuar përkohësisht me kompetencat administrative të drejtuesit të SHISH-it, dhe Jurgen Kole pritet të pyeten nga SPAK në kuadër të të njëjtit hetim.
Megjithatë, marrja në pyetje nga prokurorët nuk përbën në vetvete konstatim të përgjegjësisë penale. Roli dhe statusi procedural i çdo personi që mund të thirret në kuadër të hetimit do të përcaktohen nga organet e drejtësisë.
Në këtë fazë, hetimi i SPAK ndaj Hysenit mbetet në zhvillim dhe përgjegjësia penale duhet të përcaktohet përmes procedurave përkatëse gjyqësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




