E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbulohet skema e “avokatit” fantazmë që u zhvati mijëra euro pensionistëve
Lajme

Zbulohet skema e “avokatit” fantazmë që u zhvati mijëra euro pensionistëve

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet e dosjes penale nr. 3377, që zbërthejnë një skemë të mirëorganizuar mashtrimi online të operuar përmes call-centerave në Tiranë. Operacionet e kryera gjatë qershorit 2026 në ambientet e shoqërisë “AM-Studio”, në pronësi të Algers Mahilaj, çuan në sekuestrimin e një sërë provash digjitale që hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të rrjetit.

Hetuesit gjetën kompjutera, lista me shtetas të huaj të targetuar, komunikime të strukturuara mashtruese dhe pajisje të avancuara teknologjike. Në sistemet e sekuestruara u identifikuan programe për fshehjen e gjurmëve online dhe për komunikim të maskuar, të cilat dyshohet se përdoreshin për të manipuluar viktimat dhe për të shmangur identifikimin.

Një nga elementët më të fortë të dosjes është zbulimi i një identiteti të rremë – “Mike Hudson”, i paraqitur si avokat i një firme ligjore të huaj. Sipas hetimeve, pas këtij profili fshihej Albi Shtylla, i cili tashmë është arrestuar. Përmes këtij identiteti, ai kontaktonte qytetarë të huaj, kryesisht pensionistë nga Kanadaja, Gjermania, Austria dhe Italia, duke u prezantuar si ekspert që mund t’i ndihmonte të rikuperonin paratë e humbura në investime online apo kriptovaluta.

Komunikimet e zbuluara tregojnë një skenar të mirëpërgatitur: viktimave u caktoheshin orare specifike telefonatash dhe u krijohej besimi se kishin të bënin me një profesionist të ligjit. Në realitet, qëllimi ishte që ata të bindeshin të paguanin sërish shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se fondet e humbura do t’u rikuperoheshin.

Në kompjuterët e sekuestruar janë gjetur edhe shënime operative me të dhëna të detajuara për viktimat: emra, numra telefoni, email-e, shumat e humbura dhe komente mbi mënyrën e komunikimit. Këto të dhëna përdoreshin për të ndërtuar një qasje sa më bindëse dhe të personalizuar ndaj çdo individi.

Po ashtu, janë zbuluar tabela të organizuara në formate digjitale që përmbanin lista të gjera qytetarësh të huaj, duke treguar se aktiviteti ishte i strukturuar dhe me shtrirje ndërkombëtare. Përdorimi i aplikacioneve për kontroll në distancë dhe telefonata virtuale sugjeron një nivel të lartë organizimi dhe profesionalizmi në kryerjen e mashtrimit.

Nga hetimet rezulton se shumica e viktimave ishin persona në moshë pensioni, të cilët kishin humbur më parë para në skema investimesh online dhe ishin më të prekshëm ndaj premtimeve për rikuperim.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar disa persona, përfshirë Albi Shtyllën, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Lista e të ndaluarve është e gjatë dhe hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Autoritetet dyshojnë se kjo skemë ka funksionuar për një periudhë të konsiderueshme kohe, duke gjeneruar përfitime të mëdha financiare në kurriz të qytetarëve të huaj. Rasti konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme ndaj mashtrimeve online që operojnë nga territori shqiptar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.