Zbulohet slogani i protestës kombëtare të thirrur nga PD-ja
Partia Demokratike ka njoftuar se më 22 dhjetor në orën 18:00 do të zhvillojë një protestë kombëtare kundër Qeverisë Rama. Ky është tubimi i parë kombëtar i thirrur nga PD pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, të cilat opozita e drejtuar nga Sali Berisha i konsideron si farsë zgjedhore dhe të manipuluara.
Protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të pasohet nga një seri protestash që, sipas kreut demokrat Sali Berisha, do të finalizohen me rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.
PD kërkon krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa Edi Rama siguroi në zgjedhjet e 11 majit 83 mandate deputetësh, duke garantuar një mazhorancë të konsoliduar për mandatin e katërt qeveritar.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe slogani i protestës, i cili fton qytetarët të bashkohen në tubimin kombëtar: “Poshtë Edi Rama”, shoqëruar me një imazh ku Kryeministri shihet kokë-poshtë.
Deri më tani, demokratët kanë organizuar disa mini-protesta poshtë zyrës së kryeministrit, në formën e foltoreve qytetaro-parlamentare, ku deputetë dhe qytetarë kanë mbajtur fjalime kundër Qeverisë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



