‘Zbythen’ vendimet e Prodës për ish-drejtuesit e Policisë së Lezhës
Komisioni i Ankimimit zbut dënimet
Komisioni i Ankimimit në Policinë e Shtetit ka rishikuar vendimet e mëparshme të dhëna për ish-drejtuesit e Policisë së Lezhës, gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të martë.
Masat disiplinore ishin kërkuar nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, pas shkarkimit të tij nga detyra. Për ish-drejtuesin Altin Mena, komisioni vendosi të shtyjë gradimin për tre muaj, duke e zëvendësuar masën e mëparshme që parashikonte ulje në gradë për pesë vjet.
Ndërkohë, për zëvendësdrejtorin për rendin, Taulant Gjoka, u caktua shtyrje e afatit të gradimit për gjashtë muaj, duke rrëzuar vendimin fillestar për përjashtim nga Policia e Shtetit. Po ashtu, shefi i Komisariatit të Lezhës, Oltion Gjoni, nga vendimi fillestar i përjashtimit, tani ka marrë shtyrje afati gradimi për një vit.
Për zëvendësdrejtorin e Policisë së Fierit, Oliger Torba, komisioni rrëzoi masën e mëparshme për ulje gradimi dhe vendosi vetëm një vërejtje.
Gjatë mbledhjes së kësaj të marte, Komisioni shqyrtoi rreth 25 ankesa të tjera nga punonjës të ndryshëm të policisë, për të cilët ishin marrë masa disiplinore të ndryshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



