Zhduken gjurmët e kompanisë ajrore të Ermal Beqirit pas arrestimit
SkySolutions.si (FlySolutions) “avullon” nga interneti dhe regjistri slloven
Zhvillime të reja hedhin dritë mbi aktivitetin ndërkombëtar të biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar së fundmi në Francë me urdhër të autoriteteve shqiptare.
Sipas verifikimeve të fundit, faqja zyrtare SkySolutions.si (FlySolutions) nuk është më e aksesueshme, ndërsa të dhënat e kompanisë rezultojnë të fshira ose të çaktivizuara edhe nga regjistri tregtar slloven. Ende nuk ka një shpjegim zyrtar nëse bëhet fjalë për një çregjistrim, pezullim apo një veprim tjetër administrativ.
Dokumentet e regjistrit tregtar slloven tregojnë se kompania është regjistruar më 15 prill 2026, me pronar Ermal Beqirin dhe seli në Shtihova ulica 13, 1000 Ljubljana.
Ky fakt ngre një tjetër pikëpyetje: sipas autoriteteve shqiptare, Beqiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që më 16 dhjetor 2025, rreth pesë muaj përpara regjistrimit të kompanisë në Slloveni.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë kompania, FlySolutions zotëronte dy avionë austriakë të markës Diamond Aircraft:
* DA40-NG (Next Generation), me 4 vende;
* DA62, me kapacitet 5–7 vende.
Të dy avionët rezultonin të regjistruar pranë autoriteteve të Aviacionit Civil të Austrisë.
Në prezantimin e kompanisë, Ermal Beqiri shkruante se: “Qielli nuk është thjesht hapësirë, por simbol lirie dhe mundësish të pafundme.”
Nga eksperti i videos Meta–Prifti te dosja e AKSHI-t
Ky është identikiti publik i biznesmenit Ermal Beqiri. Për herë të parë ai doli në skenë në vitin 2011, si një nga ekspertët e caktuar për ekspertimin e videos Meta–Prifti, një proces që u bë objekt i debatit më të madh politik të kohës.
Beqiri ishte pjesë e grupit të ekspertëve që analizuan videon ku shfaqeshin Ilir Meta dhe Dritan Prifti. Ekspertiza e paraqitur në gjykatë arriti në përfundimin se videoja ishte e manipuluar, një konkluzion mbi të cilin u mbështet edhe vendimmarrja gjyqësore.
Pas këtij episodi, ai vijoi karrierën si zyrtar në Ministrinë e Brendshme. Më vonë, sipas dosjes hetimore të SPAK-ut, prokurorët dyshojnë se përmes një skeme kompanish janë transferuar shuma të konsiderueshme parash në favor të tij.
Në vitin 2021, Beqiri u shfaq si sipërmarrës në fushën e teknologjisë, pasi mori në kontroll një kompani të programeve kompjuterike. Më pas, kjo kompani përfitoi një sërë kontratash publike me vlera shumë të larta, të cilat janë sot objekt i hetimit të SPAK-ut në dosjen e njohur si dosja e AKSHI-t.
Sipas akuzës, manipulimi i tenderëve në sektorin e teknologjisë i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëme të konsiderueshme financiare.
Telefoni i sekuestruar mund të hapë një dosje të re
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se një nga provat më të rëndësishme mbetet telefoni celular i sekuestruar nga autoritetet franceze gjatë arrestimit të Beqirit. Nëse pajisja do t’i nënshtrohet një ekspertimi të plotë digjital dhe të dhënat do të analizohen pa selektivitet nga autoritetet kompetente, pritet të hidhet dritë mbi kontaktet, komunikimet dhe aktivitetin e tij ndërkombëtar.
Çfarë do të përmbajë telefoni mbetet për t’u parë, por ai mund të ketë rëndësi hetimore nëse përmban prova të lidhura me veprimtari që po verifikohen nga organet ligjzbatuese.
Ndërkohë, zhdukja e faqes së kompanisë dhe ndryshimet në regjistrin tregtar slloven shtojnë pikëpyetjet mbi atë që po ndodh me aktivitetin e kompanisë pas arrestimit të pronarit të saj.
Sipas dosjes së SPAK-ut, Beqiri akuzohet së bashku me persona të tjerë për disa vepra penale, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Ergys Agasi, rezulton i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Në dosjen hetimore përmendet gjithashtu edhe akuza për heqje të paligjshme të lirisë, ku sipas prokurorisë dyshohet se është organizuar rrëmbimi i një konkurrenti me ndihmën e personave të lidhur me grupin kriminal “Çopja”. Këto pretendime mbeten pjesë e akuzës dhe pritet të shqyrtohen nga gjykata.
Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë, zhdukja e gjurmëve dixhitale të kompanisë së tij në Slloveni dhe hetimet që vijojnë në disa shtete pritet të hedhin më shumë dritë mbi një prej dosjeve më të mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar të viteve të fundit në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





