Vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha/“Zhduket” makina e krimit, policia po kërkon personin me emrin Visi
Policia e Tiranës po verifikon një person me emrin Visi, i cili nuk është identifikuar plotësisht, por dyshohet se ka pasur një konflikt me biznesmenin që u gjet i vrarë të shtunën në Dajt, Ruzhdi Hoxha.
Të paktën kështu ka deklaruar në dëshminë e tij E. Hoxha, djali i vogël i viktimës. Nga ana tjetër, ai ka deklaruar gjithashtu se babai i tij i kishte treguar se, së bashku me shokun e tij Gj. L., kishin marrë përsipër kundrejt pagesës 200 mijë euro të digjnin makinat e shoqërisë “Salillari”, të cilat ndodheshin në zonën e fshatit Marikaj, në afërsi të Vorës.
Këtë punë ia kishte gjetur vëllai i shtetasit Gj. L. Ata kishin shkuar më datë 7 tetor në këto ambiente, por nuk kishin mundur ta kryenin. Për këtë ngjarje kishte dijeni dhe shtetasi E. Gj.
Ky i fundit është në dijeni të një konflikti që ka pasur shtetasi Ruzhdi Hoxha me një shtetas të cilin e njeh vetëm me emrin Visi.
Burime nga grupi hetimor thanë dje se ende po kryejnë kërkime për automjetin tip “Passat”, me të cilin është transportuar viktima deri në Qafë-Mollë, pas Malit të Dajtit. Ka të dhëna të arsyeshme se biznesmeni 32-vjeçar mund të jetë vrarë në këtë makinë dhe më pas është hedhur në greminën ku u gjet ditën e shtunë.
Për zhdukjen e mjetit “Passat”, që konsiderohet si makina e krimit, është vënë në pranga edhe vëllai i Ferdinand Rrushit, që konsiderohet nga Policia dhe Prokuroria si autor i rrëmbimit dhe vrasjes së Ruzhdi Hoxhës.
Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht të dielën se 42-vjeçari Pajtim Rrushi është vënë në pranga, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim, i akuzuar për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehje ose asgjësim i kufomës”, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.
Nga deklarimet e marra rezulton se Ruzhdi Hoxha më 21 tetor, rreth orës 23:30, pasi ka qenë duke pirë kafe te një lokal në autostradë, në rrugën dytësore ngjitur me një biznes të njohur, me dy shokët e tij E. B. dhe E. T.
Më pas e kanë marrë në telefon dhe ka takuar shtetasin Fredi Rrushi, K. I. dhe A. F., të cilët kanë qenë me automjetin tip “Passat” me ngjyrë gri. Të tre këta persona janë banues në zonën e “Treshit” në Tiranë. Pasi e kanë marrë në makinën e tyre shtetasin Ruzhdi Hoxha janë nisur në drejtim të “Treshit”.
Kur kanë mbërritur te ky vend, shtetasi K. I. dhe A. F. kanë zbritur nga makina duke u ndalur te lokali i shtetasit K. I., ndërsa Fredi Rrushi dhe Rruzhdi Hoxha kanë vazhduar duke bërë një xhiro me makinë në këtë lagje.
Pasi kanë bërë një xhiro, Fredi Rrushi ka shpjeguar se e ka zbritur nga makina Rruzhdi Hoxhën në afërsi të stacionit të Treshit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



