Zhdukja e Ervis Martinajt, ministri Lamallari hesht për fatin e tij
“Informaciont i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre”
Pak ditë më parë, babai i Ervis Martinajt ka artikuluar akuza të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të drejtësisë lidhur me fatin e të birit, i cili prej kohësh rezulton i zhdukur në rrethana ende të paqarta.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se djali i tij është ekzekutuar në Durrës. Ndërkohë, i pyetur sot nga gazetarët mbi këtë çështje, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari nuk dha asnjë detaj konkret.
Ai theksoi se, për shkak të funksionit të tij politik, nuk mund të përfshihet në çështje që janë në proces hetimi, duke shtuar se informacionet zyrtare ndodhen vetëm në duart e organeve përkatëse.
“Kjo ngjarje që ju referoni është një ngjarje konkrete që do të thotë se kërkesa juaj për koment nga ana ime nuk mund të adresohet sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në çështje operacinale.
Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve të bëra nga policia e shtetit e bën vetëm prokurori i çështjes. Këto informacione i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre dhe porositë e deleguara nga prokurori i çështjes që bëjnë vlerësimin e nivelit të hetimit. Kështu që nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime aq më tepër për afate, sepse afatet përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes”, u shpreh ministri.
Deklarata e Mustafa Martinajt:
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit. Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, tha Mustafa Martinaj.
Kujtojmë se Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit 2022 dhe që nga ajo ditë nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar mbi vendndodhjen apo fatin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



