Zjarr në banesën në Qytet Studenti, shpëton mrekullisht nëna me dy fëmijët
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në zonën e Qytetit Studenti, ku një banesë private është përfshirë nga flakët rreth orës 08:30, duke u shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Sipas të dhënave paraprake, në momentin kur ka rënë zjarri brenda banesës ndodheshin një nënë e divorcuar dhe dy fëmijët e saj të mitur. Falë reagimit të shpejtë, ata kanë mundur të dalin në kohë nga ambienti i përfshirë nga flakët, duke shmangur një tragjedi të mundshme.
Tre anëtarët e familjes janë transportuar drejt spitalit për kontrolle mjekësore, por fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime serioze apo pasoja nga asfiksia e tymit.
Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke e bërë banesën të pabanueshme. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për neutralizimin e flakëve dhe izolimin e rrezikut në zonë.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një defekt në rrjetin elektrik, ndërsa grupet hetimore po punojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe origjinën e ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



