E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zjarr në Milot, digjen 4 kamionë dhe një eskavator, plagoset roja
Lajme

Zjarr në Milot, digjen 4 kamionë dhe një eskavator, plagoset roja

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit një subjekt që merret me përpunimin e inerteve në Milot të Kurbinit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:40, kur flakët kanë përfshirë disa prej mjeteve të rënda që ndodheshin në ambientet e subjektit. Si pasojë, janë djegur katër kamionë dhe një eskavator.

Gjatë incidentit ka pësuar dëmtime edhe roja i objektit. Bëhet fjalë për 60-vjeçarin M. M., i cili është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kishte dëmtime fizike në pjesën e fytyrës.

Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të subjektit. Megjithatë, disa prej mjeteve janë dëmtuar rëndë dhe janë shkrumbuar.

Në fazën paraprake të hetimit, autoritetet dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Për këtë arsye, grupi hetimor po punon për të përcaktuar mënyrën se si ka nisur zjarri dhe nëse pas ngjarjes fshihet një akt i qëllimshëm.

Policia ka nisur mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, subjekti ku ndodhi zjarri ishte në administrim të shtetasit me inicialet K. B., ndërsa roja M. M., 60 vjeç, është personi që ka marrë trajtim mjekësor pas ngjarjes.

Hetuesit pritet të verifikojnë edhe rrethanat në të cilat ka ndodhur zjarri, dëmet e shkaktuara dhe çdo të dhënë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.