Zjarr në Pazarin e Gjirokastrës, digjet fasada e një ndërtese
Një incident me zjarr është shënuar paraditen e kësaj të marte në zonën e Pazarit karakteristik të Gjirokastrës, shumë pranë godinës së Postës Shqiptare. Flakët kanë përfshirë pjesën e jashtme të ndërtesës, konkretisht fasadën në zonën ku ndodhen tabelat reklamuese.
Situata ka krijuar shqetësim të menjëhershëm, pasi rreziku ishte i pranishëm jo vetëm për ambientet e institucionit, por edhe për banesat që ndodhen në të njëjtin objekt.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke bërë të mundur izolimin e flakëve dhe neutralizimin e plotë të zjarrit.
Falë reagimit në kohë të strukturave përkatëse, u shmang përhapja e mëtejshme e flakëve, duke mos lejuar dëmtime të tjera materiale dhe pa rrezikuar jetën e banorëve apo integritetin e godinës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



