Zjarri i madh në Lushnje, shkrumbhen disa banesa
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë mbrëmjen e së hënës tre banesa në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjes, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Banesat e prekura nga flakët ndodhen në afërsi të nënstacionit elektrik të qytetit, çka ka rritur rrezikun për përhapjen e zjarrit. Menjëherë pas shfaqjes së flakëve, banorët kanë njoftuar shërbimet emergjente.
Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë disa mjete zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga dhjetëra efektivë të Policisë, të cilët kanë bërë të mundur evakuimin në kohë të banorëve dhe sigurimin e perimetrit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Megjithatë, një vajzë është transportuar me ambulancë drejt spitalit pasi është ndier keq si pasojë e tymit të dendur.
Zjarrfikësit vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në banesa të tjera. Sipas të dhënave paraprake, dy banesa janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa një tjetër ka pësuar dëmtime të pjesshme.
Shefi i zjarrfikëses së Lushnjes bëri të ditur se dyshimet e para flasin për një zjarr aksidental, por shkaku i saktë do të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



